400 euro duhet të paguajnë banorët për kolaudimin e ashensorëve

Duke nisur nga ky muaj, pallatet që do të ndërtohen do të duhet të jenë të markuar me markën CE. Kryeinspektori i Mbikqyrjes së tregut Lavdrim Sahitaj u shpreh se ashensorët ekzistues do të kontrollen dhe më pas të kolaudohen. Por kjo ka një kosto, e cila pritet të rëndojë banorët e pallateve të ndërtuara para vitit 2016, të cilat tashmë janë dorëzuar nga ndërtuesit.

Qytetarët që jetojnë në një pallat që është ndërtuar para vitit 2016, do të duhet të paguajnë për kontrollin dhe kolaudimin e ashensorit të tyre.

Autoriteti i mbikqyrjes së tregut ka ndërmarrë nismën për të kontrolluar standartet e ashensorëve ekzistues dhe atyre që janë ende stok, për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Sahitaj: Për ndërtimet që janë brenda garancisë së ndërtuesit, pagesën do e kryejë ndërtuesi. Për ndërtimet që janë jashtë garancisë, pagesën do e kryejnë banorët në bashkëpunim me institucionet vendore. Vlerësimi fillestar varijon nga shifrat 30-40 mijë lekë të reja. Por problem është se do të kërkohen dhe elementë shtesë.

Kryeinspektori Lavdrim Sahitaj shprehet se që pas tërmetit të 21 shtatorit kanë nisur kontrollet për sigurinë e ashensorëve, ndërsa thekson se që prej janarit të këtij viti, ato duhet të jenë të markuar me markën CE.

Sahitaj: Për fat të mirë nuk kemi asnjë të dëmtuar nga ashensorët. Por nga ana tjetër do të shërbejë si shtysë për inspektoriatin që të kontaktojë dhe të shikojë gjendjen në terren se si është realisht. Të gjithë ndërtuesit tanimë nuk do të marrin lejen e shfrytëzimit pa bërë rivlerësimin e ashensorit tek inspektoriati mbikqyrjes së tregut.

Autoriteti i mbikëqyrjes së tregut informoi sipërmarrësit dhe ndërtuesit për ndryshimet në legjislacionin shqiptar, duke vënë në dukje rritjen e standardit për ashensorët që do të përdoren në ndërtesat e reja./oranews


Shtuar 30.01.2020 20:55