13 plumba mbi Guxim Gjyriqin, detaje të reja nga atentati mafioz

Zbardhen të tjera detaje nga eliminimi mafioz i biznesmenit Guxim Gjyriqit.

Mëngjesin e 5 janarit në qendër të Tropojëskanë qenë 5 persona në dy automjete, të cilët janë afruar dhe kanë qëlluar rreth 13 plumba ndaj 47-vjeçarit.

Videot të cilat janë tashmë në analizim nga specialistët e filmimeve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Tiranë, bëhet e ditur se kanë fiksuar momentin kur afrohen autorët dhe qëllojnë në drejtim të Gjyriqit.

Filmimet tregojnë se autori i është afruar dhe më pas e ka qëlluar rreth 13 herë me pistoletë dhe më pas është larguar me vrap, duke hyrë në një autoveturë të zezë.

Bëhet e ditur se qitësi nuk ka qenë i vetëm, pasi në vrasje kanë marrë pjesë 5 persona me role të ndara. Sapo Gjyriqi ka dalë nga ambinetet e një karburanti, qitësi e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në tokë dhe më pas ka nxituar të hipë në një makinë për tu larguar.

Kur ka kaluar më shumë se një javë nga vrasja e biznesmenit Guxim Gjyriqi në Tropojë, behet me dije se veç pistës së hasmërisë, policia ka shtuar edhe një pistë tjetër hetimi.

Tre muaj më parë djali i madh i Guxim Gjyriqit ka shkaktuar një aksident me të plagosur. Djali i Gjyriqit u procedua në gjendje të lirë për shkak të moshës së tij, pasi ishte nën 18 vjeç.

Po ashtu pistë tjetër hetimi përben fakti se Gjyriqi ka qenë i përfshirë në një seri ngjarjesh kriminale në vitin 1997.

Sipas dëshmive të para nga ana e banorëve në zonë pas vrasjes së tij me datën 5 janar, Gjyriqi njihej si një person i qetë dhe nuk kishte konflikte të hapura me persona të tjerë.

Ai ka qenë baba i dy djemve, dhe jeta e tij ishte e përqendruar kryesisht në dy bizneset e tij modeste, me të cilët siguronte dhe jetesën dhe të ardhurat e familjes.

Burime bëjnë me dije se Gjyriqi është kushëriri i Fatmir Haklajt, i cili ekzekutoi ish-liderin e lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari dhe më pas u vra dhe vetë në një atentat të mirëorganizuar në vitin 1999.


Shtuar 16.01.2020 10:19