Bebe Rexha mund të mos e kishte menduar kurrë që ylli i muzikës, Rihanna, e cila ia behu papandehur në dyqanin ku ajo punonte si shitëse, do të bëhej një ditë bashkëpunëtorja e saj.
Kënga “The Monster”, shkruar nga Bebe kur ishte ende e panjohur dhe vuante nga ankthi dhe depresioni, është ndër më të pëlqyerat e Rihanna-s dhe Eminem-it.
Bebe ishte vetëm 18-vjeç kur punonte si shitëse në një dyqan për produktet kozmetike në New York, vend që një ditë prej ditësh u shfaq Rihanna. Në një intervistë për BBC, Bebe e ka përshkruar fije për pe momentin epik.
“Isha duke u larguar për të ngrënë drekën, kur dikush më ndaloi me të shpejtë për të më thënë që Rihanna ishte tek stenda ime. E lashë drekën dhe vetëm vrapoja dhe papritur ajo ishte para meje: mahnitëse, mahnitëse, mahnitëse. ‘Wooow sa e bukur’ thashë me vete.
Të gjithë dëshironin të bënin fotografi, ishin duke e mbytur. Unë ndërkohë bërtisja ‘Lëreni të qetëëë, lëreni të qetë’…në mënyrë që të fliste me mua ndërkohë që zgjidhte produktet.”
