Inteligjenca artificiale kapërcen mjekët në diagnostikimin e kancerit të gjirit

Inteligjenca artificiale ia kaloi zyrtarisht doktorëve në diagnostikimin e kancerit të gjirit. Ajo rezulton më e saktë në pikasjen e sëmundjes nga mamografitë, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën Nature.

Një ekip ndërkombëtar, i cili përfshinte kërkues nga Google Health dhe Imperial College London, hartoi një model kompjuterik me imazhe rrezesh X nga gati 29,000 gra. Algoritmi arriti të kapërcente gjashtë radiologë në leximin e mamografisë; ai madje rezultoi më mirë sesa dy mjekë që punonin së bashku. Ndryshe nga njerëzit, inteligjenca artificiale është e palodhur dhe ekspertët mendojnë se ajo mund t`i përmirësojë ndjeshëm përpjekjet për zbulimin e sëmundjes.

Në sistemin shëndetësor britanik, grafitë e çdo gruaje analizohen nga dy radiologë, dhe në raste të rralla, kur ata nuk pajtohen me njëri tjetrin, merret dhe mendimi i një mjeku të tretë.

Në rastet e verifikuara gjatë studimit të fundit, inteligjenca artificiale ishte mjaft e suksesshme ne pikasjen e kancerit, pavarësisht faktit që ndryshe nga mjekët, nuk kishte qasje në dosjen e të dhënave shëndetësore të grave.

Një mjeku apo një specialisti i duhet më shumë se një dekadë që të bëhet një radiolog i aftë për të interpretuar mamografitë. Leximi i rrezeve X është një punë tejet e rëndësishme por edhe mjaft konsumuese, thotë BBC, dhe aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar ka një mungesë prej mbi 1000 radiologësh.


Shtuar 8.01.2020 09:59