Rriten tensionet në Beograd, nacionalistët kërcënojne Vuçiç: Mos nënshkruaj marrëveshjen me Kosovën

Aktivistët pro-rusë në Serbi iu bashkuan protestuesve nacionalistë jashtë presidencës këtë javë, në treguesin e fundit të rritjes së ndikimit rus. Duke brohoritur “nuk do të dorëzohemi” dhe “tradhti”, ata kërcënuan me trazira nëse Serbia mbështet një plan të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Presidenti Aleksandër Vuçiç i denoncoi protestuesit si “anti-serbë”. Qeveria tha se nuk besonte se Moska nxiti protestat, por lufta ka rritur tensionet në Beograd.

Presidenti serb është kërcënuar me vdekje nëse do të nënshkruajë një marrëveshje për Kosovën dhe tre persona janë akuzuar se kanë bërë thirrje për ndryshim të rendit kushtetues të Serbisë.

Midis tyre është kreu i ekstremit të djathtë serb Damjan Knezevic, i cili organizoi protestat. Ai ka mbështetur publikisht grupin mercenar rus Wagner, i cili ka luajtur një rol të madh në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Ai u fotografua së fundmi duke vizituar selinë ruse të Wagner në Shën Petersburg. Një tjetër person u arrestua pasi besohet se kishte marrë me vetë një armë në protestë.

Vuçiç më pas akuzoi organizatorët e protestës se janë paguar me paratë e të huajve, duke u zotuar se Serbia nuk do të mposhtet kurrë nga gënjeshtra, kërcënimet dhe disa pushkë.

“Nuk kam nevojë që dikush nga Wagner të më godasë në shpatull dhe të më thotë se çfarë mund dhe nuk mund të bëj”, tha ai.

Ambasadori rus dënoi kërcënimet ndaj liderit serb. Por pothuajse një vit pas luftës në Ukrainë, është e qartë se Serbia po përpiqet të ruajë marrëdhëniet me Moskën, ndërkohë që po afrohet me BE-në.

“Unë do të bëja gjithçka për Nënën Serbi dhe Nënë Rusi. Ato janë e njëjta gjë,” tha Vlado Staniç. “Gjithçka po shkon sipas planit.”

Staniç beson se Serbia ka lidhje historike dhe fetare me Rusinë.

Ai flet për Putin si “car” në terma thuajse mesianik, duke folur propagandën ruse për luftën e saj kundër “fashistëve dhe nazistëve”. Në vitin 2015 ai udhëtoi në Ukrainën lindore për të ndihmuar forcat ruse.

Ai refuzon të flasë për atë që bëri në rajonin e Donbasit të Ukrainës, por pas kthimit të tij në Serbi u dërgua në burg.

Çedomir Stoikoviç, i cili është një nga zërat kryesorë të Serbisë kundër ndikimit rus, paralajmëron se Serbia është nën “pushtim hibrid”, gjë që ka rezultuar në mbështetjen e gjerë që tani gëzon Rusia.

“Për 15 vite Rusia ka kryer një operacion të madh në Serbi. Shërbimi i tyre i inteligjencës është i përhapur këtu në një shkallë masive. Ata po investojnë para këtu, duke blerë media dhe redaktorë lajmesh.”

Ai është përpjekur të nisë ndjekje penale kundër ambasadorit rus dhe grupit Wagner dhe tani po mbron një grua të re ukrainase që ai pretendon se është trajtuar në mënyrë të padrejtë për shkak të kombësisë së saj.

Pretendimet janë të vështira për t’u vërtetuar, por mbulimi i lajmeve të luftës ruse në Serbi është shpesh në mënyrë dramatike në kundërshtim me vendet e tjera europiane.

Një gazetë botoi një artikull në prag të pushtimit me titullin famëkeq “Ukraina sulmon Rusinë”. Një tjetër botoi një histori në faqen e parë duke pretenduar se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte akuzuar Perëndimin për “tradhti” të Ukrainës, kur ai nuk kishte thënë asgjë të tillë.

Serbia është diçka më e jashtzakonshme midis kombeve europiane në mbështetjen e saj për Rusinë. Ajo ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore, megjithëse presidenti Vuçiç e ka dënuar pushtimin e Rusisë.

Vlad, një shitës suveniresh në parkun qendror Kalemegdan të Beogradit, po shet bluza pro-Moskës. Njëra mban logon Z që është bërë shenjë dalluese e luftës së Rusisë. Një tjetër bestseller krenohet me Presidentin Putin duke hipur mbi një ari.

“Nuk është Rusia kundër Ukrainës, është Rusia kundër NATO-s,” pohon ai, duke përsëritur një tjetër mantra të Putinit.

Shumë në Serbi nuk e kanë falur kurrë aleancën mbrojtëse të Perëndimit për sulmet ajrore të vitit 1999 kundër forcave të Slobodan Millosheviçit. Ato i dhanë fund spastrimit brutal etnik të shqiptarëve në Kosovë nga Serbia, por gjithashtu nxitën një urrejtje të vazhdueshme në mesin e shumë serbëve.

Kosova ka qenë gjithmonë një temë diskutimi dhe ndërkohë forcat e NATO-s janë ende atje.

E konsideruar nga shumë njerëz si një pjesë thelbësore e territorit serb, Kosova shpalli pavarësinë 15 vite më parë, si rezultat i viteve të tensionit etnik, konflikteve të përgjakshme dhe sulmeve gjenocidale.

Marrëdhëniet kanë qenë të tensionuara dhe Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe as 50,000 serbët etnikë që jetojnë atje.