Nga Mark Leonard “Project Syndicate”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, priti pak ditë më parë udhëheqësit e vendeve aleate të Japonisë dhe Koresë së Jugut në Camp David, për të diskutuar mbi mënyrat se si mund të frenohet Kina dhe si të kundërshtohet ndikimi i Rusisë, për shembull në rajonin e Sahelit në Afrikës, që kohët e fundit ka përjetuar një varg grushtesh shteti.
Ndërkohë, liderët nga vendet e BRICS – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – u mblodhën në Johannesburg për të kritikuar dominimin e Perëndimit mbi institucionet ndërkombëtare të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore. Kaq mjaftoi që historianët të përjetonin një déjà vu të Luftës së Ftohtë.
Kundërshtari kryesor i Perëndimit sot është Kina, jo Bashkimi Sovjetik, dhe BRICS nuk është Pakti i Varshavës. Por teksa bota po hyn në një periudhë pasigurie pas rënies së rendit të pas Luftës së Ftohtë, paralelizmat që bëhen mjaftojnë për të bindur shumë njerëz që t’i drejtohen modeleve konceptuale të para vitit 1989, për të fituar njohuri mbi atë që mund të ndodhë më pas.
Kjo përfshin SHBA-në dhe Kinën, edhe pse secila është duke vënë bast për një model të ndryshëm. Midis fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Murit të Berlinit, dy forcat kryesore që diktuan rendin ndërkombëtar ishin konflikti ideologjik, që e ndau botën në dy kampe, dhe kërkimi për pavarësi kombëtare, që çoi në shtimin e shteteve të botës, nga 50 në vitin 1945 në mbi 150 në vitet 1989-1991.
Teksa ndërvepronin të dyja forcat, dominues ishte konflikti ideologjik: betejat për pavarësi shndërroheshin shpesh në luftëra me prokurë, dhe vendet detyroheshin ose të bashkoheshin me një bllok ose të shpallnin “mos-rreshtimin” e tyre. SHBA mendon se një dinamikë e ngjashme do të mbizotërojë edhe këtë herë.
E gjendur përballë rivales së saj të parë që nga shembja e Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të mbledhin aleatët e tyre pas një strategjie të “shkëputjes” dhe “reduktimit të rrezikut”, që në thelb është një version ekonomik i politikës së kontrollit të Luftës së Ftohtë.
Ndërsa SHBA-ja mund të përgatitet për Luftën e Dytë të Ftohtë, të diktuar kryesisht nga polarizimi ideologjik, Kina duket se po vë bast për një fragmentim të skenës globale. Është e vërtetë që ajo është përpjekur t’u ofrojë vendeve joperëndimore një alternativë ndaj institucioneve të dominuara nga perëndimi si G7 ose Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Por sipas pikëpamjes së Kinës, synimi për sovranitet dhe pavarësi është në thelb i papajtueshëm me formimin e blloqeve të stilit të Luftës së Ftohtë. Përkundrazi, Kina synon krijimin e një bote shumë-polare. Ndërsa Kina nuk mund të fitojë dot një betejë kundër një blloku të udhëhequr nga SHBA-ja, presidenti Xi Jinping duket i bindur se ajo mund të zërë vendin e saj si një fuqi e madhe në një rend global të fragmentuar.
Edhe aleatët më të afërt të Amerikës nuk janë të imunizuar nga tendenca drejt fragmentimit, pavarësisht përpjekjeve më të mira të udhëheqësve amerikanë. Merrni parasysh samitin e fundit të Camp David. Megjithëse disa media nxituan të paralajmëronin një “luftë të re të ftohtë”, interesat e pjesëmarrësve ndryshuan.
Kështu fokusi kryesor i Koresë së Jugut mbetet Koreja e Veriut, dhe marrëveshjet për shkëmbimin e inteligjencës dhe konsultimet mbi armët bërthamore të shpallura pas samitit, shërbenin sa për të sinjalizuar vendosmërinë e tyre për të zmbrapsur regjimin e diktatorit të Koresë së Veriut Kim Jong-un, po aq sa edhe për t’iu kundërvënë Kinës.
Nga ana e saj, Japonia është e interesuar të shmangë përshkallëzimin strategjik mbi Tajvanin, një zhvillim që do të kërcënonte modelin e saj ekonomik, i cili varet ndjeshëm nga tregtia me Kinën (përfshirë teknologjinë e lidhur me gjysmëpërçuesit). Dhe Koreja e Jugut dhe Japonia janë të pakënaqur me zellin me të cilin Amerika po ndjek strategjinë e saj të reduktimit të rreziqeve.
Në lidhje me situatën në Sahel, ajo ka të gjitha tiparet e një ngërçi klasik të ndërmjetësimit të Luftës së Ftohtë. Që kur Burkina Faso, Guinea dhe Mali iu nënshtruan grushteve të shtetit, SHBA-ja dhe Franca kanë filluar të mbështeten tek qeveria e Nigerit si bastioni i fundit i mbështetjes perëndimore në rajon.
Nën drejtimin e të ndjerit Yevgeny Prigozhin, ushtria mercenare ruse Wagner Group fitoi një ndikim të madh mbi qeverisjen e Malit dhe de fakto drejtonte Republikën e Afrikës Qendrore. Gjëja e fundit që SHBA-ja dhe Franca duan është që Wagner të fitojë një terren tjetër në rajon.
Por tani që edhe qeveria e Nigerit është rrëzuar nga ushtria, reagimet amerikane dhe franceze kanë ndryshuar ndjeshëm, duke i lejuar sundimtarët e rinj të vendit që të marrin pjesën e tyre. Junta ushtarake ka kërkuar ndihmën e Wagner-it për të shmangur kërcënimin e ndërhyrjes.
Por ajo duket e gatshme, të paktën tani për tani, ta lejojë SHBA-në të vazhdojë të operojë bazat e dronëve në vend. Surpriza ndoshta më e madhe javën e kaluar ishte njoftimi i BRICS se 6 vende – Argjentina, Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – do të bëhen anëtarë me të drejta të plota deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Por ndërsa Kina nuk ka ndonjë iluzion se vende si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do t’i bashkohen asaj në një bllok të mirëfilltë anti-perëndimor; qëllimet e Pekinit janë më delikate.
Anëtarësimi në BRICS e forcon lirinë e veprimit të vendeve, për shembull, duke rritur qasjen tek burimet alternative të financimit ose duke ofruar një alternativë të vërtetë ndaj dollarit amerikan për tregtinë, investimet dhe rezervat. Një botë ku vendet nuk janë të varura nga Perëndimi, por të lira për të eksploruar opsione të tjera, u shërben shumë më mirë interesave të Kinës se sa një aleancë më e ngushtë dhe më besnike ndaj saj.
Panorama që shfaqet sot, është e një bote në të cilën superfuqive u mungon fuqia e mjaftueshme ekonomike, ushtarake ose ideologjike për ta detyruar pjesën tjetër të botës dhe sidomos “fuqitë e mesme” që janë gjithnjë e më të sigurta mbi kapacitetet e tyre – që të zgjedhin njërën apo tjetrën anë në këtë përballje.
Nga Koreja e Jugut në Niger, dhe deri tek anëtarët e rinj të BRICS, vendet mund të kenë mundësi të çojnë qëllimet dhe interesat e tyre, në vend se të zotohen për besnikëri ndaj superfuqive. Në dallim nga sa mund t’u duket shumë njerëzve, madje edhe brenda SHBA-së, lufta e re e ftohtë duket se nuk bazohet në logjikën e vjetër të polarizimit, por në një logjikë të re të fragmentimit. Dhe gjykuar nga zgjerimi i BRICS, ka shumë vende që e shohin joshëse këtë logjikë të re. /albeu.com