Presidenti i ri i Malit të Zi: Do të ndjekim politikën e BE-së ndaj Rusisë dhe do të forcojmë lidhjet me Serbinë

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, premtoi të përshpejtojë rrugën e vendit të tij drejt anëtarësimit në BE dhe të qëndrojë në linjën e saj politike ndaj Rusisë në lidhje me Ukrainën, si dhe të avokojë për lidhje më të forta me Serbinë dhe fqinjët e tjerë ballkanikë.

“Një nga prioritetet kyçe të politikës së jashtme për Malin e Zi, si dhe për mua si president i ri i vendit, do të jetë përshpejtimi i anëtarësimit të vendit në BE, në mënyrë që, me shpresë, Mali i Zi të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së gjatë 5 vviteve të mandatit tim”, tha Milatoviç në një intervistë për agjencinë Associated Press (AP), i cili shton se angazhimi i tij ndaj BE-së bie ndesh me akuzat se ai është një kukull e Moskës.

Milatoviç tha se arsyet kryesore për humbjen e Milo Gjukanoviçit ishin sundimi i tij afatgjatë, si dhe akuzat për korrupsion të përhapur gjatë sundimit të tij.

“Kjo është arsyeja pse ne na pëlqen të themi se kemi mundur një nga diktatorët e fundit në Evropë… Prandaj unë vërtet besoj se fitorja në këtë shtet të vogël ballkanik është gjithashtu një fitore e madhe evropiane, një fitore e vlerave evropiane,” tha Milatoviç.

AP thekson se kjo ishte humbja e parë e Gjukanoviçit në zgjedhje që kur ai hyri në politikë në ish-republikën jugosllave në fillim të viteve 1990.

Gjukanoviç gjatë mandatit të tij shpesh është akuzuar për korrupsion dhe presion ndaj drejtësisë, gjë që e ka mohuar.

Milatoviç i tha AP se paraardhësi i tij “është me të vërtetë një simbol i regjimit që sundoi vendin duke përdorur krimin e organizuar dhe korrupsionin.”

“Këto tre gjëra, një rënie e konsiderueshme ekonomike, krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe integrimi shumë i ngadalshëm evropian janë simbole të regjimit (të Gjukanoviçit),” tha ai.

AP gjithashtu thekson se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Malit të Zi janë përkeqësuar që kur Gjukanoviç e nxori vendin nga bashkimi me Serbinë në vitin 2006 dhe më vonë e futi atë në NATO në 2017.”

Milatoviç tha se do të përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë, si dhe me shtetet e tjera fqinje të Ballkanit.

“Unë besoj se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE dhe mendoj se Mali i Zi me siguri mund të jetë i pari që do të hyjë”, tha Milatoviç.

Sa i përket marrëdhënieve me Rusinë, Milatoviç kujtoi se “Mali i Zi fuqimisht, 100 për qind udhëheq politikën e jashtme të BE-së” dhe se “i tillë do të mbetet”.

“Pra, politika e plotë e BE-së është ajo që duhet të udhëheqë Mali i Zi në të ardhmen, dhe është veçanërisht e rëndësishme tani kur bëhet fjalë për agresionin rus kundër Ukrainës… Nuk ka njeri në Evropë dhe padyshim në Mal të Zi që mund të mbështesë pushtimin e një vendi në një vend tjetër sovran”, shtoi për AP presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi. /Albeu.com/


Shtuar 5.04.2023 09:23