Presidenti Biden nderon viktimat e masakrës së Tulsës

Presidenti Joe Biden ishte të martën në Tulsa të Oklahomës për të shënuar 100 vjetorin e masakrës të vitit 1921 që shkatërroi një komunitet afrikano-amerikan. Më shumë se 300 vetë u vranë dhe qindra shtëpi dhe biznese u shkatërruan pasi një turmë e bardhë sulmoi lagjen.

Biden, duke folur në Qendra Kulturore Greenwood, nderoi viktimat.

“Për një kohë të gjatë, historia e asaj që ndodhi këtu u tregua me zë të ulët, e rrethuar nga errësirë,” tha presidenti.

“Por vetëm sepse historia nuk është treguar me zë të lartë, nuk do të thotë që nuk ka ndodhur. Dhe megjithëse errësira mund të fshehë shumë, ajo nuk zhduk asgjë. Disa padrejtësi janë kaq të tmerrshme, kaq të hidhura, saqë ato nuk mund të zhduken, sado që të përpiqen njerëzit”, tha presidenti Biden.

Gjatë fluturimit për në Tulsa, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti planifikonte “të hidhte dritë mbi atë që ndodhi dhe të sigurohej që Amerika e njihte plotësisht historinë “.

Ajo tha se zoti Biden do që që amerikanët ta dinë historinë e skllavërisë, diskriminimit racor dhe të strehimit në Amerikë.

Më parë, Shtëpia e Bardhë tha se po ndërmerr përpjekje “për të ndihmuar në mbylljen e hendekut të pasurisë racore dhe të rifillojë të investojë në komunitetet që janë lënë pas nga politikat e dështuara “.

Ai tha se qeveria do të akordojë fonde në programe për të zgjeruar blerjen e pasurive të patundshme dhe për të mbështetur biznesin e vogël në komunitete me ngjyrë dhe të diskriminuara.

Zoti Biden është presidenti i parë që mori pjesë në ceremoni përkujtimore për ngjarjet që çuan në shkatërrimin e lagjes në qytetin Tulsa, të njohur si Wall Street-i i afrikano-amerikanëve. Më 31 maj deri më 1 qershor 1921, banorët e bardhë dhe drejtues të qytetit të Tulsës plaçkitën, vandalizuan dhe dogjën lagjen Greenwood.

Presidenti Biden u takua me të mbijetuar të masakrës. Rreth 300 afrikano-amerikanë u vranë, mijëra të tjerë u dërguan në kampe internimi të mbikqyrura nga Garda Kombëtare. Tulla të nxira nga zjarri dhe një pjesë e themelit të një kishe janë ndër gjurmët e pakta ende të dukshme sot nga kjo lagje dikur vitale afrikano-amerikane.

Administrata e zotit Biden do të vihet në provë nga përpjekjet që vazhdojnë për të arritur drejtësi racore. Vetë Presidenti Biden do ta kishte pasur të pamundur të fitonte zgjedhjet, nëse nuk do të kishte marrë mbështetjen e afrikano-amerikanëve, si gjatë kandidimit brenda partisë, ashtu edhe në garën me ish-Presidentin Trump.

Megjithë vëmendjen që po i kushtohet në këtë 100-vjetor, masakra e Tulsës është një temë relativisht e re në debatin publik dhe vizita e presidentit do ta sjellë edhe më në qendër të vëmendjes.

Joe Biden, i cili ka qenë nënpresident gjatë mandatit të të vetmit president afrikano-amerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe po ashtu ka zgjedhur të vetmen grua afrikano-amerikane si nënpresidente, nxori një proklamatë duke e shpallur të hënën “ditë përkujtimore” për masakrën.

Paraardhësi i zotit Biden, Presidenti Donald Trump vizitoi Tulsën vjet në rrethana shumë të ndryshme.

Pas periudhës së pezullimit të aktiviteteve për fushatë si rezultat i pandemisë, Presidenti Trump e rifilloi fushatën me një aktivitet në Tulsa. Vendimi i tij për të zhvilluar një tubim më 19 qershor, një ditë e shënuar për afrikano-amerikanët, kur ata kremtojnë fundin e skllavërisë në SHBA, u përcoll me kritika aq të forta saqë zoti Trump u detyrua ta shtynte aktivitetin. Një ditë më pas, tubimi u shoqërua me protesta si dhe u dallua për pjesëmarrje të ulët brenda dhe jashtë sallës.

Presidenti Trump arriti në Tulsa në një periudhë shumë të ngarkuar për vendin, disa ditë pasi kishte urdhëruar largimin me forcë të protestuesve nga Sheshi Lafayette para Shtëpisë së Bardhë. Protestuesit ishin mbledhur me thirrjet për drejtësi racore pak javë pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd nga një polic i bardhë. Zoti Trump gjatë gjithë presidencës së tij mbajti anën e forcave të rendit dhe u akuzua shpesh për përdorim të retorikës raciste, kur fliste me terma të zymta për zona urbane të Amerikës, që janë përgjithësisht me shumicë afrikano-amerikane./VOA


Shtuar 2.06.2021 08:23