Mbi 1.000 persona kanë vdekur si rezultat i vërshimeve në Pakistan që nga qershori, thanë zyrtarët më 28 gusht.
Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive tha se 119 persona kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave të arrijë në 1.033.
Zyrtarët në Pakistan kanë thënë se gjatë këtij viti vërshimet kanë prekur mbi 33 milionë banorë – një në shtatë pakistanezë – duke shkatërruar apo dëmtuar rëndë pothuajse 1 milion shtëpi.
Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive tha se mbi 2 milionë hektarë të mbjella me produkte bujqësore janë shkatërruar plotësisht, 3.451 kilometra rrugë janë shkatërruar dhe 149 ura janë shembur.
Shirat që bien çdo vit zakonisht janë thelbësore për ujitjen e tokës bujqësore dhe mbushjen e kapaciteteve të liqeneve. Por, ato çdo vit sjellin edhe një valë shkatërrimi.