Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak, njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjet për blerjen e armëve, sepse Polonia ka nxjerrë mësime nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. “Koha është e shkurtër dhe ne duhet të pajisim ushtrinë polake”, tha ai.

Sipas marrëveshjeve Polonia do të marrë rreth një mijë tanke, rreth 650 topa dhe mortaja dhe 48 avionë luftarakë. Dymbëdhjetë avionët e parë luftarakë të tipit FA-50 planifikohet të mbërrijnë në Poloni në vitin 2023 dhe do të zëvendësojnë avionët e vjetër të prodhimit sovjetik. Koncerni koreano-verior i armatimeve, Korea Aerospace Industries, njoftoi se do ta zhvendoste gradualisht prodhimin e avionëve luftarakë FA-50 në Poloni.

Informacione në lidhur me kostot e marrëveshjes për armët nuk u dhanë, por sipas njoftimeve nga Koreja e Jugut bëhet fjalë për disa miliardë dollarë amerikanë.

Përgatitje ndaj një kërcënimi të mundshëm nga Rusia
Polonia, e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetësit më të mëdhenj ushtarakë dhe politikë të Ukrainës dhe po armatoset shumë kundër një kërcënimi rus. Muajt e fundit Polonia ka porositur më shumë se 300 tanke amerikane dhe sisteme raketash tokë-ajër nga konsorciumi evropian MBDA si dhe më shumë se 30 helikopterë ushtarakë të prodhimit italian.

Po ashtu qeveria e Varshavës ka nisur që vitin e kaluar të rrisë ndjeshëm numrin e ushtarëve, madje edhe para sulmit rus në Ukrainë. Nëse duam të shmangim më të keqen, pra luftën, duhet të veprojmë sipas rregullit të vjetër të parandalimit, e justifikoi asokohe vendimin Jaroslav Kazhinski, lideri i partisë në pushtet PIS./DW/