Nxehet gara hapësinore: Pas rënies së raketës në oqean, Kina akuzon SHBA për përhapje paniku

Për një javë, Long Mach 5B rrëmbeu vëmendjen e të gjithë botës, ndërsa ekspertët ndoqën nga afër trajektoren e saj, duke spekuluar se ku do të binin mbeturinat në hyrjen e pakontrolluar të raketës kineze.

Përgjatë kësaj kohe, administrata në Kinë qëndroi e heshtur mes kritikave se lejimi i një faze kaq madhe raketash për rënie të lirë drejt Tokës ishte e papërgjegjshme dhe përbënte një rrezik sigurie për shumë vende.

Më në fund, të dielën në mëngjes Zyra e Inxhinierisë Hapësinore në Kinë theu heshtjen e saj, duke konfirmuar se mbetjet e raketës kishin rënë në Oqeanin Indian, pranë Maldiveve dhe se shumica e saj ishte djegur në atmosferë.

Për ata që e kanë ndjekur këtë ngjarje, lajmi solli një lehtësim të madh. Kjo u përdor nga media shtetëtore kineze për të argumentuar se vëmendja e madhe globale ishte një përpjekje nga Perëndimi për të diskredituar programin hapësinor të Kinës dhe për të penguar përparimin e saj.

“Janë xhelozë për përparimin e Kinës dhe teknologjinë e saj hapësinore. Madje disa prej tyre po përpiqen të përdorin zhurmat që ata bënë për të penguar dhe ndërhyrë në nisjet e ardhshme intensive të Kinës për ndërtimin e stacionit të saj hapësinor”, shkruhej në një gazetë.

Ndërsa Pekini ka akuzuar prej kohësh vendet perëndimore dhe mediat se e mbajnë Kinën në një standard tjetër. Zyrtarët kinezë thanë se SHBA po përpiqet të njollosë emrin e Kinës dhe se ka përhapur panik./albeu.com