Ziberi i BDI-së takon të rinjtë, çfarë i premtoi

Sot, Kandidati për kryeministër të parë shqiptar Naser Ziberi, në parkun e Çairit realizoi takim me rininë ku shpalosi politikat rinore dhe zotimet e tij për 100 ditshin e parë si kryeministër.

“Unë jam këtu për ju të rinjtë, dhe pjesa kyçe e programit tim të prezantuar për 100 ditët e para, është pikërisht përforcimi i ekonomisë dhe krijimi i mundësive për ju, dhe këtë e kam planifikuar përmes një sërë masash. Fillimisht do të ulim në zero tatimin personal për tre vjet për çdo të punësuar për herë të parë, nën moshën 35 vjeç” – potencoi Ziberi.

Në këtë frymë të krijimit të vendeve të punës për të rinjtë, Ziberi shtoi se “Qeveria po ashtu do të subvencionojë 50% të kontributeve sociale për tre vitet e ardhshme për çdo punësim të ri, që do të përmirësojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjitha bashkësive etnike në ndërmarrjet private. Kështu të rinjve shqiptar, do t’u krijohen më shumë mundësi për punë në vend, më shumë mundësi për një të ardhmeje më të begattë, si dhe mundësi për t’u ndjerë profesionalisht të realizuar këtu në vend”.

“Investoni në studimet tuaja, sepse me hapjen e negociatave me BE-në do tu hapen mundësi të shumta për kontribuim në shumë fusha të ndryshme, dhe në një të ardhme të afërt si vend anëtar i Bashkimit Evropian, do të keni mundësi për pozita vendimmarrëse jo vetëm në vendin tonë por edhe në qarqet vendimmarrëse të Komisionin Evropian. Atë që brezi ynë duhej ta arrinte me luftë ju thjeshtë mund ta arrini përmes votës tuaj më 15 korrik” – theksoi Ziberi.


Shtuar 3.07.2020 12:36