Zeav takon të parin Ahmetin, kreu i BDI-së “braktiset” nga liderët shqiptarë

Mandati për formimin e Qeverisë së re është në duart e Zoran Zaev. Në mesditë presidenti Stevo Pendarovski, i dorëzoi mandatin për formimin e Qeverisë, kreut të LSDM-së, siç tha në bazë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa nuk komentoi asgjë tjetër, pasi dha deklaratën për dorëzimin formal të së drejtës për formimin e Qeverisë së re.

“Për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut e përcaktoj Zoran Zaevin- deklaroi StevoPendarovski, president i RMV-së

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev tha se si mandatar, do të vazhdojë negociatat me partitë tjera, për të formuar Qeveri e cila do të punojë për integrim në BE, zhvillim ekonomik, luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe për reforma në gjyqësor, përfshirë edhe deklarimin e pronës së arritur nga politikanët. Zaev nënvizoi se takimi i sotëm me kreun e BDI-së Ali Ahmeti realizohet me qëllim që të respektohet vullneti i qytetarëve.

“Besoj se sot, nesër, pasnesër, në ditët në vijim do të bëjmë hap para nëse udhëhiqemi nga perceptimi i asaj që qytetarët na thanë ne politikanëve dhe na udhëzuan të bisedojmë. E shohim se LSDM që një nga temat dominonte si obligim në zgjedhje e kishte ‘BDI në opozitë’, tani negocion me BDI-në, kështu që edhe BDI duhet të jetë fleksibile sepse qytetarët vendosën më shumë mandate ti japin koalicionit” Mundemi” të udhëhequr nga LSDM dhe Zoran Zaev- pohoi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev nuk deshi të komentojë se a është i gatshëm të bëjë kompromis për kërkesën kryesore politike të BDI-së e që është marrja e pozitës së kryeministrit, ashtu siç premtoi në fushatë. Nuk ka dashur të deklarohet as për variantin kohor 3 plus 1, që do të thotë një vit vendi të ketë kryeministër shqiptar. I pyetur se a shpreson që ta drejtojë qeverinë në 4 vite, ai u përgjigj pozitivisht por u shpreh se çdo vendim do të merret në interes të barazisë së qytetarëve. Por kryetari i BDI-së tha se marrja e mandatit për formimin e Qeverisë nga ana e Zaevit, nuk shuan shpresat për negociata të suksesshme me BDI-në.

“Nuk mendoj se sot përmbyllet gjithçka. Mendoj se bisedimet vazhdojnë dhe përpjekjet bëhen për të gjetur gjithë të përbashkët për interesa të shtetit. Gjërat nuk janë në drejtim të keq, njëherë e kam deklaruar po e them edhe një herë, gjërat janë shumë afër, po aq sa janë edhe larg- tha: Ali Ahmeti, kryetar i BDI.

Zaev ka afat 20 ditësh për të formuar shumicë parlamentare dhe Qeveri, në të kundërtën, mandati do të bartet te VMRO-DPMNE-ja, si partia e dytë me më shumë mandate, shkruan Alsat.

Ndërkohë, nga ana e shqiptarëve që janë faktor në Maqedoni me grupimet e tyre politike, asnjëri prej tyre që ishte ftuar nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti nuk është paraqitur në orarin e paraparë të takimit. Ahmeti u shpreh i zhgënjyer nga mos-ardhja e liderëve në takimin, në të cilin siç tha, do t’i falënderonte për të arriturat e përbashkëta të deritanishme dhe do të merreshin vesh për ndarjen e përgjegjësive për të ardhmen. Në vend të tryezës së përbashkët, Ahmeti realizoi një takim joformal me gazetarët për t’iu përgjigjur në pyetjet për zhvillimet aktuale politike.

“Sa i takon ftesës, ka më shumë se një javë që ftesën e kanë partitë politike parlamentare me rend dite dhe nuk ka arsye të kohës apo pamundësisë për të gjetur kohë ata për të bërë analizat e duhura. Sa i përket kryeministrit, nuk i kemi thirrur partitë politike për të mbështetur platformën dhe idenë tonë. I kemi thirrur për t’u bërë pjesë e përgjegjësive të mëtejshme në këtë vend- deklaroi Ali Ahmeti.

Krerët e partive shqiptare, Zijadin Sela, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami që një ditë më parë njoftuan se janë “pro” koordinimeve të këtilla mes faktorit politik shqiptarë në vend, por kishin kushte. Sela dhe Gashi kërkuan rend të qartë dite të takimit dhe një datë tjetër, nga e hëna e tutje, kurse Kasami pos një date tjetër kishte kërkuar që liderët e partive që nuk janë nënshkruese të Deklaratës së përbashkët të 2016-tës, të deklarohen publikisht se e mbështesin atë.


Shtuar 13.08.2020 14:39