Statistikat demantojnë BDI-në, statusi i shqiptarëve i cunguar

BDI edhe në këtë fushatë parazgjedhore lavdërohet me përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në shtet dhe realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke iu kërkuar qytetarëve mbështetjen për kryeministrin e parë shqiptar.

Megjithatë raportet e Avokatit të Popullit ndër vite kanë treguar se tendenca e përfaqësimit të shqiptarëve nëpër institucione shtetërore nuk ka qenë në nivel të kënaqshëm.

Edhe përskaj faktit se BDI për vite ka qenë në pushtet, viteve të fundit ka rënë niveli i përgjithshëm i përfaqësimit.

Nëse në vitin 2016 përfaqësimi i shqiptarëve ishte 19,2%, në vitin 2017 ka rënë në 19.1 %, ndërsa në 2018-ën ka rënë në 19%. Madje sipas raportit të fundit të Avokatit të Popullit, figurojnë institucione me diskriminim total, siç është Agjencia e Filmit, e cila ka 11 të punësuar, prej të cilëve asnjë shqiptar. Numër i madh institucionesh nuk ka as 10 % të të punësuarve shqiptarë.

Përfaqësimi është i ulët edhe në gjyqësor, shembull në Supreme vetëm 7,1%, prej të cilëve asnjë nga të punësuarit në administratën gjyqësore nuk është në pozita udhëheqëse ose jo-udhëheqëse. Madje kur jemi te përfaqësimi në vende udhëheqëse, në shumë ministri përqindja e shqiptarëve është nën 10, si p.sh: 8,7% në Ministrinë e Bujqësisë, 5,9 në Ministrinë e Shoqërisë Informatike, 9,4 në Ministrinë e Mbrojtjes, 7,5 në Ministrinë e Financave.

Madje së fundmi, opinioni ishte dëshmitar i skandalit me qytetarët maqedonas të cilët deklarohen si shqiptarë dhe mësojnë disa fjalë shqip për të fituar vendet e punës, që iu dedikohen qytetarëve shqiptarë.

Për më tepër, sistematizimi i administratorëve që marrin rroga pa pasur një vend pune mbeti edhe më tej i pazgjidhur, edhe përskaj shumë zv/kryeministrave të BDI-së për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të cilët nuk kujtohen për ndonjë të arritur.


Shtuar 7.07.2020 17:59