Sondazhi për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: BDI e para tek shqiptarët

Pavarësisht situatës së vështirë që ka shkaktuar pandemia në vend, Maqedonia e Veriut pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme më 15 korrik.

Pikërisht për këto zgjedhje, Instituti Habeas Corpus ka realizuar një sondazh të fundit, për të krijuar një përshtypje paraprake për rezultatet e zgjedhjeve.

Sipas këtij sondazhi VMRO-DPMNE ka epërsinë ndaj koalicionit LSDM /BESA.

Sipas sondazhit, 22.5 përqind e qytetarëve thanë se do të votonin për VMRO-DPMNE nëse nesër mbaheshin zgjedhjet parlamentare.

Koalicioni LSDM / BESA ka më pak besim tek qytetarët dhe sipas sondazhit, ai do të merrte votën e 20 përqind të tyre.

Në bllokun shqiptar, 6.1 përqind do të votonin për BDI, ndërsa 4.5% e të anketuarve do të votonin për Aleancën për Shqiptarët në koalicion me Alternativën.

E majta dhe PDSH kanë më pak se një përqind mbështetje, ndërsa 15.3 përqind e të anketuarve nuk kishin përgjigje. Trembëdhjetë përqind thanë se nuk do të votonin për asnjë nga partitë, ndërsa 18 përqind thanë se nuk dëshironin t’i përgjigjen pyetjes përcjell TetovaSot.

Sondazhi, sipas Institutit, është bërë prej 1,159 të anketuarve midis 8 qershorit dhe 11 qershorit 2020. Sondazhi mori në konsideratë hartën etnografike, përfaqësimin demografik, gjininë dhe moshën e të anketuarve.

Në të njëjtën kohë, për hyrjen në pyetësor ishin edhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Sondazhi u krye përmes telefonit, duke përdorur telefoninë fikse dhe mobile.


Shtuar 16.06.2020 13:03