Shkëndija dhuron show, barazon 3-3 me Randers (VIDEO)

Shkëndija ka barazuar 3:3 në ndeshjen ndaj skuadrës daneze të Randers, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo ndeshja e tretë për “kuqezinjtë” në kuadër të përgatitjeve në Antalia të Turqisë, aty ku skuadra tashmë po përgatitet nga data 24 janar.

Ndeshja nuk nisi mirë për Shkëndijën, pasi një gabim i portierit Zahov i mundësoi futbollistit kundërshtarë Riis të kalojë në epërsi Randersin që në minutën e 3-të. Nuk vonoi shumë dhe Valon Ahmedi u gjind i vetëm para portierit kundërshtarë, i cili e fauloi brenda zonës, ndërsa arbitri kryesor tregoi në pikën e bardhë. I saktë doli të jetë Agim Ibraimi, i cili në minutën e 7-të barazoi shifrat në 1:1.

Minuta e 28-të solli edhe golin e dytë për ekipin danez, të cilët shënuan me anë të Kamara, i cili mjaft mirë shfrytëzoi një harkim nga e djathta dhe nga brendia e zonës me një goditje precize edhe për herë të dytë arriti që të mposhtë portierin Zahov.

Me këtë gol u mbyll edhe pjesa e parë, ndërsa një eurgol i Kehinde në minutën e 60-të bëri që Randers të avansojë edhe me shifrat 3:1.

Megjithatë edhe përkundër këtij disavantazhi, të besuarit e trajnerit Ernest Gjoka nuk u dorëzuan, dhe në një interval kohor prej vetëm 6 minutash arritën që të barazojnë rezultatin.

Ishte Besart Ibraimi ai i cili në minutën e 72-të shfrytëzoi një devijim të portierit kundërshtarë dhe nga afërsia ngushtoi epërsinë e Randers në 2:3, teksa një super gol i Agim Ibraimit nga gjuajtja e lirë në minutën e 78-të i siguroi barazimin Shkëndijës.

Për “kuqezinjtë” nga Tetova ishte ky barazimi i dytë në tokën turke, pas atij pa gola ndaj skuadrës çeke të MKF Karvina, ndërsa në ndeshjen e parë kishin shënuar fitore 3:2 ndaj sllovakëve të Sered.

Ndeshjen e rradhës dhe të fundit në kuadër të përgatitjeve në Turqi, Shkëndija do ta zhvillojë me 7 shkurt kundër skuadrës së Slovan Liberec nga Republika Çeke.


Shtuar 4.02.2020 15:51