Filipçe: Vala e dytë e koronavirusit erdhi më shpejt nga sa pritej

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se numri i pacientëve të infektuar me koronavirus pritet të rritet edhe më shumë në ditët në vijim, dhe kjo është arsyeja pse po bëhet riorganizimi i kapaciteteve në spitale.

“Numri i pacientëve të shëruar pritet të jetë më i vogël se numri i pacientëve të pranuar. Vala e dytë erdhi më herët nga sa prisnim”, tha Filipçe.

Ministri tha se Shkupi për momentin është vatër e nxehtë e të infektuarve me coronavirus, njofton Telegrafi Maqedoni.

Sipas tij, të gjitha qytetet e tjera janë të qëndrueshme dhe ka raste sporadike. Për punonjësit shëndetësorë tha se ata ishin në rrezik me muaj, duke punuar ndërrime të gjata për të shpëtuar jetë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat që të ndihmojnë që sa më shpejt që të dalim nga kjo gjendje.

“Respektoni masat, ndihmoni punonjësit e shëndetit të marrin frymë”, tha ministri.

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni sot informoi se në 24 orët e fundit janë bërë 1391 teste për coronavirus, ndërsa 193 raste kanë rezultuar pozitiv, prej të cilëve 140 janë nga Shkupi.


Shtuar 17.06.2020 14:29