Çfarë do të sakrifikonte Ali Ahmeti që shqiptarët të garonin bashkë? Ja si përgjigjet kreu i BDI (VIDEO)

Në një intervistë në Syri TV, kryetari i BDI, Ali Ahmeti ka folur rreth fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut e mbi atë çfarë pritet të ndodhë pas 15 korrikut.

Sa i përket garimit të ndarë mes partive shqiptare, Ahmeti u shpreh se, fosilet e së shkuarës janë ende pengesë për shqiptarët.

“Mendoj se akoma në këto hapësira funksionojnë fosile të së kaluarës që ti marrin shqiptarët të ndarë, në blloqe, të pakponsi sepse kështu e kanë më të lëehtë të bëjnë politikat e tyre hegjemoniste. Ende ka nga ata që thonë se ky është shtet për maqedonasit. Për dy dekada me rradhë jemi përpjekur për çështjen shqiptare në këto hapësira. Jam përpjekur që opozita shqiptare të bëhet bashkë. Nuk më ka penguar fakti nëse bashkohen e mundin BDI-në. Para 4 vjetësh shqiptarët humbën 4 mandate sepse ishim të ndarë e të përçarë. Ta konsolidojmë shtetin tonë pasi ende jemi të ndarë në parti e platforma kombëtare”, tha Ahmeti.

Çfarë do të sakrifikonit që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të garojnë bashkë?

“Është shumë e thjeshtë. Unë nuk jam këtu dhunshëm. Nuk jam këtu në mënyrë arbitrare. Jam i zgjedhur për programin që kemi paraqitur para qytetarëve dhe ata kanë bërë zgjidhjen. Nëse kërkohet një sakrificë nga kombi shqiptar që unë jam pengesë për partitë shqiptare, që ata të forcohen, e kisha bërë sepse për mua më shumë është çështja se sa individi. Sakrificën e parë ka qenë, edhe partia ime më doli kundër, kur kam inkurajuar të bëhen bashkë dhe të pranoja edhe humbjen. Ekzistenca e tre apo më shumë partive është e dëmshme pasi hapësirat janë të vogla dhe nuk të lejojnë. Unë kam folur me të gjithë, veç e veç e kam bërë përpjekje të paktën të bashkohen ata që janë ndarë”, u shpreh lideri i BDI-së.

Kujtojmë se më 15 korrik Maqedonia e Veriut i drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur legjislativin e ri. Përveç BDI, në garë janë edhe PDSH dhe Alternativa-Aleanca për Shqiptarët. /Syri/


Shtuar 6.07.2020 19:14