Presidenti bjellorus Alexandër Lukashenko është shfaqur duke prerë dru, ku edhe nuk i ka kursyer ironitë kundrejt Europës.
Përmes një videoje të publikuar së fundmi në rrjete sociale, aleati kryesor i Putin është shprehur se po pret dru për të ndihmuar ‘Europën që të mos vdesë nga i ftohti këtë dimër’.
Lukashenko shihet duke mbajtur një sëpatë përballë një grumbulli druri të sapo prerë.
“Nuk do t’i lëmë të vdesin nga i ftohti në Evropë. Ne do të ndihmojmë vëllezërit tanë. Ndoshta do të na ndihmojnë një ditë”, dëgjohet duke thënë presidenti,.
Kjo video e presidentit Bjellorus është realizuar në një kohë kur vendet evropiane, të përballura me çmimet e larta të gazit dhe energjisë elektrike , kanë frikë nga mungesat në dimër.
Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet e tyre me Minskun janë veçanërisht të tensionuara. Bjellorusia, e cila kufizohet me Ukrainën, e ka vënë territorin e saj në dispozicion të Moskës për të nisur sulmin e saj në Kiev.