Pse keni nevojë që të gjithë t’ju pëlqejnë?

Ne si qenie njerëzore jemi programuar të duam miratimin e atyre që na rrethojnë”, shpjegon Becky Spelman, psikologe.

Ajo thotë se nga sugjerimet shoqërore që marrim nga të tjerët përreth nesh, ne formojmë mendime nëse sjelljet tona janë të mira dhe të denja për lavdërim apo jo. Kur vlerësohemi nga të tjerët ndihemi mirë dhe kjo na shtyn të sillemi në të njëjtin mënyrë në të ardhmen në mënyrë që të marrim përsëri të njëjtat fjalë të mira.

Spelman thotë se “miratimi dhe pranimi nga të tjerët, të tillë si familjarët, partneri, rrethi shoqëror cilësohet si vërtetim i jashtëm dhe është i shëndetshëm brenda kufijve. Në anën tjetër, vërtetimi i brendshëm, i përkufizuar si “vetë pranimi dhe vetëvlerësimi i vetes pa pasur nevojë të marrim mendimet e të tjerëve është diçka që shumë prej nesh po luftojnë për ta arritur.

Në një studim të kryer nga studiuesja Elizabeth R Thornton, doli që 55% e pjesëmarrësve thanë se ajo që ato mendonin për veten e tyre ishte shpesh ose gjithmonë e lidhur me atë që mendojnë të tjerët.

“Ndërsa dëshira për vlerësim të jashtëm është normale dhe e shëndetshme, ajo mund të shkojë shumë larg kur dëshirimi i lavdërimit dhe vëmendjes nga të tjerët bëhet varësi dhe/ose kur nuk është i ekuilibruar nga nivele të shëndetshme të vetëvlerësimit.” tha Thornton.

Ajo tha se në këto raste, njerëzit mund të dëshirojnë miratimin e të tjerëve edhe në kurriz të mirëqenies së tyre mendore dhe fizike dhe ndonjëherë njerëzit ndiejnë një nevojë kaq të madhe për vlerësim të jashtëm saqë duan të vlerësohen nga të gjithë dhe nevoja për vërtetim të jashtëm është një problem gjithnjë e më i përhapur, veçanërisht në mesin e grave të reja. Në një hulumtim nga Revista “Stylist” u zbulua se vetëm 1 në 10 gra midis moshave 25-40 raportojnë se kanë nivele të larta të vetëvlerësimit. Të tjerat thanë që gjithmonë priren të marrin një mendim apo sugjerim nga njerëzit që i rrethojnë.

Gjithashtu ideja që gratë janë më të prirura të kenë nevojë për vlerësim të jashtëm nuk është një “cilësi e lindur e femrës”, por në sajë të presioneve të vendosura mbi to nga shoqëria.

“Gratë priren të gjykohen më ashpër kur shoqëria ndjen se e kanë bërë një hap të gabuar dhe t’i nënshtrohen një game më të gjerë fjalësh,” shpjegon Dr Spelman.

Ajo thotë se e gjithë kjo rezulton në shumë gra që kalojnë jetën në një gjendje të vazhdueshme ankthi, sepse janë të shqetësuara për ndëshkimet shoqërore që mund të përballen nëse perceptohen se bëjnë diçka të gabuar.

Spelman thotë gjithashtu se është e rëndësishme të gjesh dhe mbash një ekuilibër të shëndetshëm midis asaj që thonë të tjerët për ne dhe asaj që ne mendojmë për veten.

Diçka e thjesht që mund të bëjmë është të kuptojmë se asnjë nuk është perfekt dhe se është në rregull nëse dikush në punë apo rrethin shoqëror nuk të pëlqen.

“Ne duhet të punojmë me veten tonë dhe të krijojmë marrëdhënie pozitive më veten tonë që na lavdëron kur jemi mirë dhe na lejon të bëjmë gabime dhe të mësojmë prej tyre”, tha Spelman.


Shtuar 4.10.2020 11:26