“Është miratuar mes kaosit dhe tensioneve rregullorja e re për përjashtimin e me 30 deri në 60 ditë të deputetëve që prishin seancat plenare”.
Ky ishte lajmi i ditës të enjten e 14 dhjetorit, teksa në Kuvend shumica socialiste miratonte e vetme rregulloren e re dhe opozita përplasej me punonjës të Gardës së Republikës brenda dhe jashtë sallës së seancave plenare.
Veçse lajm i ditës, fjalia e mësipërme ishte e njëjta në të paktën gjashtë media të ndryshme online.
Balkanweb, Voxnews.al, sot.com.al, botasot.info, telegrafi.al dhe lajmifundit.al kishin të njëjtin tekst për lajmin në fjalë dhe disa prej tyre të njëjtin titull.
Kush e mori nga kush? Epo, në epokën e gazetarisë online lajmi “copy-paste” është aq i përhapur, sa nuk ka rëndësi kush e publikoi i pari apo kush është autori.
Viola Keta, kryeredaktore e Faktoje.al thotë se në një treg mediatik kaq të parregulluar, një problem i tillë është mjaft i pranishëm.
“Logjika ta do që në një vend me një treg të parregulluar dhe klimë mediatike ende me probleme (referuar edhe progress raportit të KiE dhe raporte të tjera mbi lirinë e medias) ky të jetë një problem goxha i mprehtë që kërkon angazhim shumëplanësh dhe zgjidhje. Pra jo thjesht për fenonemenin copy-paste, por për të gjithë zinxhirin e problematikave që kanë burim shkeljen e të drejtës së autorit”, shprehet ajo.
Keta tregon më tej se edhe në Faktoje.al ka ndodhur që publikime të ndryshme të merren duke shkelur të drejtën e autorit, sidomos në rastet kur arikujt zbulojnë premtimet e pambajtura të një politikani dhe shkaktojnë shumë debat.
Për këto raste nuk janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm ligjorë, teksa Keta shpjegon se publikimi i artikujve cilësorë i shërben publikut “dhe në kushtet kur në Shqipëri ende mungon kultura që ashtu si për çdo shërbim apo produkt të garantuar, të paguash, është më mirë që publiku të ketë akses në këto shkrime”.
“Problemi më i mprehtë është kur këto shkrime, ‘coptohen’, transformohen, u ndryshohet konteksti dhe më keq akoma keqpërdoren dhe në vend të informojnë, dezinformojnë”, thotë Keta.
Ajo shton më tej se ka pasur raste kur media të tjera kanë botuar një lajm të Faktoje.al pa cituar, teksa thotë se metoda “copy-paste” përdoret kryesisht nga portale ku stafi dhe struktura janë të vështira për t’u identifikuar.
Keta thotë se për një problem të tillë duhet të ketë përmirësim të kuadrit ligjor dhe mbi të gjitha ndërgjegjësim dhe angazhim të grupeve të interesit.
Ajo sugjeron se për t’u larguar nga metoda “copy-paste” duhet të forcohen kapacitetet në gazetari të rritet profesionalizmi dhe të ketë edukim mediatic që në ciklin parauniversitar.
“Dhe pashmangshmërisht garantimi i një kornize ligjore për të cilën duhet të sigurohemi se do të zbatohet, ndaj ndërgjegjësimi i pari është kyç. Sepse në Shqipëri është i njohur fenomeni që ndryshohen/përmirësohen ligjet ende pa u zbatuar ato ekzistues”, përfundon Keta.
Sa i përket kuadrit ligjor, juristja Brikena Kasmi thotë se botimet gazetareske trajtohen sipas kategorive specifike.
“Që nga viti 2005 me anë të ligjit 9380 dhe më pas rirregulluar me anë të ligjit 35 në 2016-ën, të drejtat e autorit mbrohen nëpërmjet mekanizmave ligjorë. Megjithatë cështjet e botimeve gazetareske duhet të trajtohen sipas kategorive specifike: botimet/ veprat me ose pa autor; botimet me autor të shpërndara për publikun, botimet me autor të pa shpërndara për publikun”, thotë ajo.
“Kuadri ligjor në vendin tonë përfshin edhe listën e akteve ndërkombëtare të cilat vendi ynë i ka pjesë të lëgjislacionit të brendshëm si psh: Konventa Universale e të drejtës së autorit dhe Traktati i OBPI-it për të drejtën e autorit; marrëveshja e TRIPS “Mbi Aspekte të Caktuara Tregtare që Lidhen me të Drejtën e Autorit dhe të Drejta të Tjera të Lidhura me to”; Konventa e Romës “Për Mbrojtjen e Artistëve Interpretues dhe Ekzekutues, Prodhuesve të Fonogramit dhe Organizatave Transmetuese” (teksti i 1961); Konventa e Bernës “Për Mbrojtjen e Veprave Letrare dhe Artistike” (teksti i Parisit 1971); etj”, shton Kasmi.
Ajo shpjegon se ligji për të drejtën e autorit parashikon se kontrolli për zbatimin e të drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me të, në tregun e brendshëm bëhet nga inspektorati që mbulon fushën e mbikëqyrjes së tregut, pranë ministrisë përgjegjëse për tregtinë.
“Shkeljet e të drejtës së autorit ndahen në kundravajtje penale, vepra penale ose kundravajtje administrative. Dëmi që sjell shkelja e të drejtës së autorit mund të jetë dm ekonomiko-financiar ose dëm moral”, sqaron Kasmi.
Ajo thotë se ky fenomen duhet të vetërregullohet, por nisur nga situata delikate e demokracisë në vendin tonë, duhet të ketë ndërhyrje edhe me anë të legjislacionit.
“Patjetër që ky fenomen së pari duhet të vetërregullohet dhe njëkohësisht nisur nga brishtësia e demokracisë së vendit tonë edhe duhet garantuar me mekanizma detyrues ligjorë. Mosrregullimi i piraterisë në fushën mediatike sjell përvec cenimit të së drejtës së autorit të veprës por njëkohësisht edhe të përhapjes së lajmit të rremë”, shprehet Kasmi.
Por problemi i vetëm nuk është kopjimi i një lajmi pa marrë miratimin e autorit apo pa e cituar atë.
Përdorimi i fotove të punuara nga motazhierët e mediave online, duke i hequr edhe logon nëse ka, është një problem më vete.
Arli Vreto, aktualisht montazhier në vizionplus.tv tregon se i ka ndodhur në disa raste që foto të punuara nga ai të merren nga media të tjera, duke i hequr logon.
“Zakonisht në media ndodh që fotot ose videot që përpunohen nga një redaksi që ka punonjës specifik për këtë punë, fotot ose videot merren pa cituar dhe nr kohrt e fundit është bërë trend që t’i heqin edhe logon”, tregon Vreto, teksa sjell edhe disa raste kur kjo i ka ndodhur.
Fotoja e punuar nga Arli
Fotoja e përdorur nga media tjetër duke i hequr logon
Fotoja e punuar nga Arli
Fotoja e marrë nga media tjetër, duke i vendosur logon e tyre
Fotoja e punuar nga Arli
Fotoja e marrë me logo, nga disa media të ndryshme, pa e cituar burimin
Për Arlin ky problem rregullohet me më shumë ndërgjegjësim mes gazetarëve, teksa shprehet se është kundër blerjes së fotove apo pamjeve nga një media te një tjetër.
“Unë mendoj se nuk duhet bërë me pagesë marrja e fotove apo videove nga mediat e tjera sepse humb ekskluziviteti”, thotë Vreto.
“Do të shikonim të njejtën gjë. Dhe kjo do të sillte pakënaqësi te shikuesit. Në Shqipëri janë disa media që perdorin pamjet edhe fotot nga mediat ndërkombëtare dhe mua personalisht më duket jo më shumë se një kopje e shëmtuar e tyre”, thotë ai.
Lorin Kadiu, kryeredakor i Citizens Channel thotë se kopjimi i përmbajtjes, me citim ose jo të burimit, përbën në parim shkelje të të drejtës së autorit, me përjashtim të rasteve kjo ndodh me pëlqimin e autorit.
“Një pjesë e rëndësishme e përmbajtjes që qarkullon në mediat online nuk ka autorësi të pasqyruar qartë. Shto këtu edhe menjëhershmërinë e shpërndarjes në rrjetin e portaleve online dhe në fund e ke shumë të vështirë të kuptosh kush ka krijuar çfarë”, thotë Kadiu.
“Të drejtat e Pronësisë Intelektuale janë të rregulluara si me ligj ashtu edhe në Kodin e Etikës së Gazetarit. Atribuimi i informacionit nuk është i ndaluar, për sa kohë dikush tjetër nuk i shtrembëron kuptimin apo e paraqet si punën e vet”, shprehet ai më tej.
Sipas Kadiut, kt fenomen nuk është i ndarë nga problemet e tjera që ka mjedisi i medias, teksa sugjeron se informacioni duhet të shihet si një mall me vlerë, për të cilin ashtu si për çdo mall, duhet paguar për ta pasur,
“Ky fenomen sigurisht nuk mund të shihet i ndarë nga problemet e tjera që ka mjedisi i medias. Për sa kohë informacioni nuk do të shihet si një mall me vlerë për të cilin publiku ka vullnet të paguajë me anë të modeleve të mbështetjes direkte apo abonimit mujor (subscriptions), e shoh të vështirë që të ketë një angazhim të rëndësishëm për rregullimin e fenomenit”, përfundon Kadiu.
Problemi i së drejtës së autorit nuk është thjesht një problem i medias për Shqipërinë.
Edhe në progres raportin e vitit 2023 të Bashkimit Europian për Shqipërinë, thuhet se vendi ynë është mesatarishit i përgatitur për të drejtat e pronësisë intelektuale, teksa rekomandohet përshtatja e ligjit për të drejtën e autorit me legjislacionin europian vitin e ardhshëm.