Monedha e vetme që e ka figurën e një gruaje shqiptare

E vetmja ndër monedhat dhe kartëmonedhat shqiptare, me kurs ligjor, e cila përfaqësohet me një grua, është monedha me prerje 100 Lekë.

Në pjesën e pasme të saj paraqitet Mbretëresha ilire Teuta, shoqëruar me mbishkrimin “Republika e Shqipërisë” dhe vitin e shtypit të monedhës, 2000.

Pas vdekjes së parakohshme të të shoqit, Agronit, Teuta trashëgoi fronin mbretëror, duke u vendosur në krye të shtetit dhe ushtrisë ilire gjatë viteve 230-228 p.e.s. Edhe pse qëndresa e saj në krye të shtetit zgjati më pak se tre vjet, Teuta zhvilloi një veprimtari energjike. Ajo përballoi rivalitetet e brendshme, ruajti aleancën me Maqedoninë dhe rriti fuqinë politike të mbretërisë. Fitoret e saj ngjallën zemërim të madh tek Perandoria Romake, e cila bashkë me tradhtitë e brendshme ndaj Teutës, çoi në dështimin e planit të saj për të pushtuar Dyrrahun, Apoloninë dhe Korkyrën.

Në duart e romakëve nga njëra anë dhe me një fuqi të dobët ushtarake nga ana tjetër, Teuta u mbyll në qytetin e fortifikuar të Rozonit (Risani i sotëm) në gjirin e Kotorit. Në pranverë të vitit 228 p.e.r, përfaqësuesit e saj përfunduan me senatin romak një paqe me kushte shumë të rënda për Ilirët dhe shumë shpejt Iliria u kthye në një provincë romake. Pas kësaj ngjarjeje Teuta nuk përmendet më. Në krye të mbretërisë ilire u vu si regjent Demetër Fari.


Shtuar 8.03.2020 13:36