Viti shkollor po afron, Ministria e Arsimit nuk ka ende një plan për procesin mësimor

Ministria e Arsimit duket se nuk ka ende një plan gati për fillimin e procesit mësimor në një kohë pandemie. Viti shkollor që lamë pas nuk ishte aspak efikas për nxënësit shqiptarë pasi vendi u godit nga tërmeti i 26 nëntorit duke lënë disa javë pa shkollë nxënësit e më pas, pikërisht kur u kthye normalitetit, e gjithë bota u izolua nga pandemia e koronavirusit.

Sic thonë nxënësit dhe mësuesit, nuk ka rezultuar aspak vit produktiv. Ndërkohë gazetarja e Fax News, Fjona Çela raporton se sa i përket këtij viti, nuk ka ende një plan konkret apo draft, ide nga Ministria e Arsimit se si do të zhvillohet viti shkollor 2020-2021. Gjithashtu është ende e paqartë se kur nis shkolla ndërsa vitet e tjera ka nisur më 14 Shtator për ciklin e ulët dhe të mesëm.

Deri tani gjithcka ka bërë MASR është një sondazh online drejtuar mësuesve, nxënësve dhe prindërve ku i ka dhënë mundësinë që të shprehin se si dëshirojnë që të realizohet mësimit dhe si do të jetë efikase.

Sondazhi: Për shkak të situatës së pandemisë Covid-19, si do të donit që të fillonte viti i ri shkollor?
Alternativa 1: Shkolla të fillojë normalisht me kapacitet dhe funksionim të plotë duke i respektuar të gjitha rregullat e higjienës dhe distancimit fizik;
Alternativa 2: Shkolla të fillojë procesin me grupe të vogla nxënësit, orë mësimore të reduktuara dhe me turne duke respektuar të gjitha rregullat e higjienës dhe distancimit fizik;

Alternativa 3: Shkolla të fillojë procesin me mësim të kombinuar në klasë dhe online duke respektuar të gjitha rregullat e higjienës dhe distancimit fizik;
Alternativa 4: Shkolla të fillojë vetëm online duke respektuar të gjitha rregullat.

Nuk janë publikuar ende rezultatet e sondazhit dhe nuk dihet nëse merret për bazë, ndërsa nevojiten edhe konsulta me Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë një vendim për procesin mësimor të vitit të ri shkollor.


Shtuar 17.08.2020 09:28