U kishte borxh dhe donte t’i eliminonte, si u parandalua krimi i trefishtë me kallashnikov në Fier

Një ngjarje e rëndë është parandaluar të shtunën në Fier, ku policia ka arrestuar një 36 vjeçar pasi qarkullonte me automatik si dhe një 59-vjeçar, pasi fshehu dhe bashkëpunoi me të.

I arrestuari është Ilirjan Progonati dhe dyshohet se do vriste 3 persona, të cilëve u kishte para borxh dhe nuk ua kthente. Ai është filmuar nga kamerat e një biznesi privat, teksa ecën i pashqetësuar me automatik në dorë.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se autori po qarkullonte me armë zjarri “Kallashnikov” në qytet dhe dyshohej se mund të kryente vrasje të trefishtë. Ndërsa u arrestua për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” shtetasi A. M., 59 vjeç, pasi kishte fshehur gjatë natës në banesën e tij shtetasin 36- vjeçarin Progonati.

Gjatë operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe armën “Kallashnikov”, me të cilën ky shtetas dyshohet se do kryente krim të trefishtë. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi Ilirjan Progonati, 36 vjeç, banues në Fier, pas një konflikti për motive të dobëta në lagjen “15 Tetori”, me shtetasit L. P., 30 vjeç, K. P., 25 vjeç dhe A. P., 28 vjeç, banues në Fier, është larguar nga vendngjarja për të siguruar një armë zjarri dhe është rikthyer me synimin për t’i vrarë shtetasit e lartpërmendur, por sapo ka parë shërbimet e Policisë të afroheshin drejt tij, është larguar me shpejtësi.

“Përgjatë natës dhe paradites së të shtunës, është rrethuar zona dhe janë zhvilluar dhjetëra kontrolle në ambiente, në rrugë, në automjete me pika kontrolli, në banesa të braktisura, në disa banesa të të afërmve të personit të dyshuar, pasi personi i dyshuar, në momentin që ka parë që po afroheshin shërbimet e Policisë, ka mundur të largohet në rrugët e brendshme të lagjeve të qytetit, duke përfituar dhe nga errësira.

Falë kontrolleve të shumta, krehjes së zonës dhe shërbimeve grackë, mesditën e sotme u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit I. P., 36 vjeç, banues në Fier. Gjithashtu, u arrestua për veprën penale ‘Përkrahja e autorit të krimit’ shtetasi A. M., 59 vjeç, pasi kishte fshehur gjatë natës në banesën e tij shtetasin I. P”, tha zyrtarisht Policia.


Shtuar 18.08.2020 12:34