Turqia pritet të evakuojë qytetarët e saj nga Kina, mes tyre edhe një shtetas shqiptar

Koronavirusi është kryetemë kudo në botë dhe jo pa arsye.

Të paktën 170 persona kanë gjetur vdekjen ndërkohë që 7700 të tjerë janë infektuar me këtë virus vdekjeprurës.

Një avion mallrash i Turqisë pritet të niset për në Kinë për të transportuar qytetarët e saj dhe të vendeve të tjera të afërta, përfshirë një shtetas të Shqipërisë nga qyteti kinez Wuhan ku muajin e kaluar u shfaq për herë të parë koronavirusi, raporton Anadolu Agency (AA).

Avioni i mallrave do të niset nga Aeroporti Ushtarak Etimesgut në Ankara për të evakuuar 34 shtetas turq, një shtetas shqiptar, si dhe shtatë nga Gjeorgjia dhe shtatë nga Azerbajxhani.

Avioni do të transportojë personat e bllokuar në Wuhan me kërkesë të tyre për t’u kthyer në Turqi pas kontrolleve të hollësishme shëndetësore në kushte të karantinës.

Në bordin e avionit turk, me iniciativë të Ministrisë së Shëndetësisë, do të udhëtojë edhe personeli shëndetësor me përvojë me sëmundjen infektive.

Koronavirusi, i cili u shfaq në qytetin Wuhan të provincës Hubei, ka shkaktuar të paktën 170 të vdekur ndërsa rreth 7.700 të tjerë u infektuan me këtë virus që thuhet se është transmetuar te njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët. /albeu.com/


Shtuar 31.01.2020 07:37