Thërret të ëmën dhe të atin në gjyq, vajza përballet me të vëllain

Vëlla e motër nga Gjirokastra u përballën me njëri-tjetrin për shkak të një konflikti në familje si pasojë e një prone.

Në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, në “TV Klan”, Klara kishte kërkuar që në seancën e ndërmjetësimit të kishte përballë prindërit dhe jo vëllain, por për shkak të gjendjes së vështirë shëndetësore, ata e kishin të pamundur që të ishin në studio.

Klara ka një fëmijë 8 vjeç dhe u shpreh se e ka të pamundur ta rrisë vetëm me të ardhurat e saj. Ajo dëshiron që të pajiset me dokumente në emrin e saj, për hyrjen në të cilin aktualisht është duke banuar.

Klara: Në fakt historia jonë është një histori që unë nuk dua të kem vëllain tim këtu përballë, por dua të kem prindërit e mi.

Geraldo: Prindërit po përfaqësoj.

Klara: Problemi im është i tillë, që unë kam një fëmijë 8 vjeç.

Eni Çobani: Ta kesh me jetë!

Klara: Faleminderit! Me të ardhurat e mia nuk mbaj dot fëmijën tim.

Eni Çobani: Ju jetoni vetëm?

Klara: Unë jetoj bashkë me familjen time, në një godinë, por në shtëpi të ndryshme. Unë gjithë kohës kam jetuar me idenë se unë një ditë do të merrja një nga hyrjet, që nëna ime dhe babai im kishin dhe vazhdojnë t’i kenë.

Geraldi: Çfarë hyrje kërkon kjo moj zonja Eni, se kjo po na çudit, se na vjen na sjell këtu dhe kërkon hyrje. Çfarë hyrje kërkon?

Eni Çobani: Ti Gerald nuk ke qenë i thirrur nga Klara.

Klara: Unë nuk dua të bëj fare me Geraldin, zonja Eni.

Eni Çobani: Ka thirrur mamanë dhe babain tuaj, por në telefonatën e fundit që zonja Lindita më ka kryer, më ka thënë që jemi në një gjendje shëndetësore shumë të rëndë.

Klara: Më vjen keq që Geraldo ka ardhur!

Eni Çobani: Nuk do ta përballonin dot këtë seancë ndërmjetësimi për shkak të emocionit, duke pasur vajzën përballë dhe juve detyrimisht që e kanë të vështirë. Ju kanë sjellë ju, ju mbani një barrë shumë të madhe, ju përfaqësoni prindërit sot këtu, flisni në emër të tyre, pavarësisht se Klara nuk të pranon. Arsyet pse nuk të pranon do na i thotë Klara. Si është problemi?

Klara: Unë dua t’iu kërkoj llogari prindërve të mi. Unë s’kam punë me Geraldon.

Geraldo: Po ja që prindërit nuk vinin dot, erdha unë. Më thuaj mua, unë do flas, përfaqësoj ata.

Klara: Zonja Eni, po si do flasë ky, kur ky nuk ka asnjë të drejtë mbi asnjë letër në atë pronë. Ai nuk është pronar, unë s’mund t’i kërkoj asgjë atij.

Geraldo: Po çfarë prone kërkon ti Klara?

Klara: Babai im më ka dhënë fjalën, se një ditë një nga ato hyrjet do jetë e imja. Kështu që unë gjithë kohën kam jetuar me idenë se unë e kam një shtëpi timen.

Eni Çobani: Po ti a je në shtëpi?

Geraldo: Po pra shtëpinë atje e ka dhe çunin atje e ka. Në atë shtëpi jeton Klara, nuk është se e ka nxjerrë dikush jashtë. Klara thjesht tani po kërkon mesa po kuptoj pronë.

Klara: Unë dua të marr shtëpinë me letra. Geraldo me letra, unë e dua atë shtëpi me letra në emrin tim.

Geraldo: Ti mund ta duash, por prindërit tanë janë gjallë, nuk ka si ta marrë kjo, edhe unë qoftë. Për sa kohë ata janë gjallë, gëzojnë shëndet.

Klara: Ky gjithë kohën ka mbajtur krahët e ngrohtë prindërve tanë dhe ata tani normalisht do mbajnë këtë dhe do marrin për të dhe unë i bie do dal përjashta.

Geraldo: Po ata janë prindërit tanë dhe normalisht që ne do t’i mbajmë ngrohtë.

Klara: Ai e kupton situatën që unë kam një fëmijë 8 vjeç dhe nuk mundem dot të jetoj me të ardhurat e mia. Unë nesër dua të iki nga ajo shtëpi, dua të iki nga ai vend të jetoj diku tjetër. Ajo shtëpi duhet të jetë e imja.

Geraldo: Kjo nuk është normale, ç’dokumente kërkoj kjo, se po më çudit fare tani. O Klara, ne prindërit i kemi gjallë dhe ti nuk ke fare të drejtë të kërkosh një pronë atje, për sa kohë ata janë gjallë. Pas vdekjes së tyre, unë dhe ti do t’i trashëgojmë sepse ne të dy jemi dhe nuk kemi të tjerë./tvklan.al


Shtuar 5.07.2020 18:34