Që prej të hënës së kaluar, u tha se asnjë qytetar nuk mund të lëvizte lirisht pa marrë paraprakisht lejen në portalin e-Albania.
Fill pas njoftimit, të shumtë qenë njerëzit që u ankuan për problemet e shfaqura në e-Albania shkruan anabel.al.
Për të pasur një ide më të qartë një programues shqiptar me përvojë të gjatë në median online shpjegoi:
“Nga pikëpamja e infrastrukturës, që përfshin kapacitete në server në Storage (ruajtja e të dhënave) dhe Bandëidth (transferimi i të dhënave), e-Albania i ka të gjitha pasi ka investime të mëdha për të përballuar jo 2 milionë banorë, por edhe 200 milionë. Problemi qëndron te mënyra si është programuar portali. Pra, thënë ndryshe, te resurset njerëzore. e-Albania nuk është një portal që bie ndonjëherë offline, pra problemi nuk qëndron me përballimin e fluksit, por ka probleme me Bugs në sistem për shkak të programimit të gabuar.”
Shën.red. Bugs – Në IT, me termin Bug u referohen të gjitha gabimeve dhe problemeve të një programi a sistemi kompjuterik, që i bëjnë të prodhojnë rezultate të pasakta dhe të papritura.
Shtojmë se drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, u shpreh se “e-Albania po aksesohej me vështirësi për shkak të fluksit të menjëhershëm të klikimeve” dhe shtoi se “nuk do të ketë më vështirësi në aksesim”.
“Të nderuar qytetarë, për shkak të një fluksi të madh e të menjëhershëm klikimesh, e-Albania hera-herës aksesohej me vështirësi. E pavarësisht kësaj, u dhanë plot 116 mijë e 562 leje të menjëhershme për dalje vetëm nga portali dhe 75 mijë e 573 përmes sms-ve në numrin 55155. Mbi 50 punonjës, pa pushuar asnjë sekondë të vetme, ndihmuan mijëra qytetarë të tjerë për përditësimin e të dhënave në llogaritë e tyre në e-Albania dhe iu përgjigjën pyetjeve mbi procedurën e thjeshtë të aplikimit. Dhjetëra inxhinierë ndërkaq punuan pa rreshtur këto dy ditë për perfeksionimin e infrastrukturës dhe tanimë me kënaqësi ju informoj se sistemi nuk do ketë më vështirësi në aksesim. Falenderoj secilin prej jush për mirëkuptimin dhe ju ftoj të hapni e-Albania për leje-daljet e nevojshme apo çdo shërbim tjetër.”