Tentuan t’i grabisnin, identifikohet një nga autorët që qëlloi ndaj çiftit Laze

Policia ka shpallur në kërkim një person nga Skrapari, të dyshuar për grabitjen dhe plagosjen e çiftit Lase.

Gjeneralitetet dhe fotografia e shtetasit me inicialet A.B., u është shpërndarë të gjitha Komisariateve në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera, në mënyrë që të bëhet shoqërimi i tij në momentin e parë që të konstatohet.

Dyshime ka se maskat që mësynë brenda vilës, të kenë marrë informacione nga persona të brendshëm të familjes, nga personat e punësuar apo edhe të afërm të tyre.

Për këtë arsye, Policia ka shoqëruar disa prej tyre, duke u marrë dëshmitë në lidhje me ngjarjen, edhe si persona të dyshuar.

Familja Laze jetonte në katin e dytë të banesës ku ndodhi ngjarja, ndërsa kati i parë përdorej si punishte brumi, duke qenë se ata kishin në pronësi disa furra buke.

Pjesa e pasme e banesës nga ku çifti hynte në shtëpi, ndryshe nga pjesa e përparme ku ndodhej dhe biznesi, nuk ka pasur kamera dhe këto të dhëna janë ditur nga autorët. Sipas grupit hetimor, kjo përforcon dyshimet se grabitësit kanë pasur informacione të sakta për familjen dhe banesën.

Petrit dhe Afërdita Laze nuk kanë pasur mundësi të përleshen me grabitësit, pasi të gjendur në befasi ata kanë qëlluar menjëherë sapo janë përballur me çiftin, fillimisht Petritin e më pas Afërditën, në korridor.


Shtuar 22.01.2020 08:29