Pasi u kujdes gjithë ditën për mbesën, një 63-vjeçare u sulmua rrgës për në shtëpi nga një hajdut i cili përpara se ta grabiste, shfaqi shenja përkujdesjeje për të.
Fillimisht hajduti i hodhi duart në sup dhe i merakosur e pyeti: të mbyti virusi moj nëne?
Menjëherë sapo gruaja me inicialet E. Q ka kthyer kokën, i panjohuri i këputi varësen e floririt dhe u largua me vrap. Sipas burimeve ngjarja ndodhi pranë mbikalimit në afërsi të një qendre tregtare në autostradë.
Sipas të njëjtit burim i dyshuari është L.S, 44 vjeç me precedentë të mëparshëm penalë. Ai rezulton nga këqyrjet në sistemin tims të ketë sulmuar edhe në vitin 2011 një tjetër grua duke i rrëmbyer varësen, kurse më herët ka qenë problematik për dhunë në familje.
“Bashkëshorti po ecte pak metra më përpara, po ktheheshim nga shtëpia e vajzës ku mbajmë mbesën dhe po shkonim në shtëpinë tonë. Ai djali u afrua dhe më tha të mbyti virusi moj nëne.
Me pas më vendosi duart në fyt dhe me dorën tjetër shkuli varësen”, rrëfen në polici e moshuara.
Pasi gruaja ka bërtitur i shoqi e ka pyetur çfarë ke? Dhe në këtë rrëmujë pas hajdutit kanë vrapuar i moshuari dhe dy shtetas të tjerë, njëri prej të cilëve taksist. Kur në vendngjarje mbërriti një patrullë policie, hajduti ju lut “më lëshoni e bëra për bukën e gojës”.
Por e moshuara që kishte fiksuar hajdutin që mbante veshur një bluzë të kuqe, sapo oficerët e pyetën ajo konfirmoi: Ky është. Ky ma rrëmbeu varësen.