Sulmet e Iranit, Meta: Shqipëria, e vendosur përkrah SHBA-ve dhe NATO-s

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta është deklaruar para pak minutash lidhur me qëndrimin e Shqipërisë në këtë moment përshkallëzimi tensionesh midis SHBA-së dhe Iranit.

Presidenti në mesazhin e tij i është kundërpërgjigjur liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, i cili gjatë një deklarate i referohej një vendi të vogël, por sipas tij shumë të keq dhe djallëzor në Europë.

Ndërsa, Meta shprehet se “Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta”.

Po ashtu Presidenti nënvizon se Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Reagimi i Ilir Metës

Raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet ndërkombetare dhe detyrimet e tyre në interes të paqes.

Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta.

Prej dy dekadash Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë. /albeu.com/


Shtuar 8.01.2020 16:41