Shpërthen airbagu: Humb jetën foshnja dy muajshe, plagoset dy vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Itali, ku një foshnjë ka ndërruar jetë si pasojë e shpërthimit të airbagut.

Foshnja ishte vetëm dy muajsh. Foshnja ndodhej i vendosur në mbajtësen enkas për fëmijë, në sediljen e parme të makinës, e cila drejtohej nga i ati. Pas ndodheshin e ëma dhe vëllai i viktimës. Deri më tani nuk dihet nëse airbagu nga ana e fëmijës ishte çaktivizuar, siç parashikon ligji në këto raste, për montimin e mbajtëseve të fëmijëve në sediljet e parme.

Situata është ende nën hetim, ndërsa aksidenti, një përplasje e vogël mes disa makinash, ndodhi në rrugën Manghi, shumë pranë spitalit Cisanello, ku u dërgua me urgjencë i vogli, rreth orës 16:30.

Makina në të cilën ndodhej foshnja, ishte e treta e përfshirë në përplasjen mes automjeteve. Pasi mbërriti në spital, mjekët lajmëruan prindërit se si pasojë e hapjes së airbagut, i vogli kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë. Ai u operua me urgjencë, por zemra e vogël nuk i rezistoi dot dëmtimeve dhe pushoi se rrahuri pak pas orës 22:30 të mbrëmjes së të dielës.

Në aksident ngeli i plagosur edhe vëllai më i madh, i moshës 2-vjeçare, por për fat të mirë, pa pasoja të rënda.


Shtuar 17.02.2020 11:56