“Shiti vajzën time”, nëna e 10 vjeçarit nga Tropoja akuza xhaxhait të djalit

Ishte data 17 qershor kur në studion e emisionit me “Zemër të Hapur”, në News24, mbërriti denoncimi i xhaxhait të 10-vjeçarit nga Tropoja, i cili sipas këtij të fundit, u largua nga shtëpia dhe u vetëdorëzua në polici, pasi dhunohej nga njerku dhe nëna.

Në studio përballë autores Evis Ahmeti, xhaxhai i djalit u shpreh se nëna e 10-vjeçarit pas vdekjes së të shoqit e keqtrajtonte djalin, por edhe fëmijët e tjerë. Ajo e detyronte atë të dilte në rrugët e qytetit dhe të lypte.

Por nga ana tjetër daja i djalit shprehet për 10-vjeçarin se ai është një fëmijë që ka qenë shumë i sjellshëm dhe gjithë qyteti i Tropojës e njeh dhe e admiron, pasi jeta e tij ka qenë më shumë në rrugë, sesa në shtëpi. Në mënyrë të drejtpërdrejtë xhaxhai dhe daja akuzojnë nënën e 10-vjeçarit, duke theksuar se ishte ajo që lejoi djalin të largohej nga shtëpia.

10-vjeçari edhe sot e kësaj dite ndodhet në qendër rehabilitimi. Pas dy muajsh nëna e 10-vjeçarit mbërrin në studion e emisionit për të rrëfyer një të vërtetë, e cila ka më shumë se dy muaj që qëndron në heshtje të plotë.

Rrëfimi:

Zamira, nëna e 10-vjeçarit: Çdo gjë që ka thënë xhaxhai i djalit janë gënjeshtra, djalin unë e kam çuar vetë në polici, sepse djali kishte marrë rrugë të keqe, madje disa njerëz në Tropojë e shfrytëzonin duke i futur drogë në xhep dhe ja kam gjetur vetë dhe ja kam thyer edhe telefonin. Unë policinë e kam marrë shumë herë dhe policia nuk e ka marrë për bazë. Djali shkonte në shkollë dhe ikte prej mësimit.

Ai ndryshoi që në moshën 8-vjeçare. Në polici e çova unë, sepse ai kishte filluar të mbante drogë. Edhe daja dhe xhaxhai i djalit janë miq dhe pikërisht ata mbajtën anën e njëri-tjetrit. Unë nuk kam pasur një celular dhe prandaj nuk jemi lidhur me emisionin tuaj.

Vajzën e futi Abedini për të më shkatërruar mua, ajo nuk ka trokitur kurrë te dera ime, gjithë këtë skenar e ka ndërtuar Abedini, xhaxhai i djalit. Abedini shiti vajzën time duke bërë pazar me miqtë. Nuk e kam nxjerrë për të lypur, kanë gënjyer, Abedini ka gënjyer për gjithçka. Kam 6 muaj që bashkëjetoj me Durimin.

Durimi, bashkëshorti i Zamirës: Unë jetoj prej 6 muajsh me Zamirën dhe djalin e kam gjetur aty, sa më donte mua nuk e donte nënën. Kur e rrihte nëna ai më afrohej mua. Sa kam qenë unë e ka rrahur vetëm një herë në syrin tim. Djalin e nxirrte Abedini të lypte.

Abedini: Ato që thonë ata nuk janë të vërteta, ato janë gënjeshtra, sepse djalin ajo e nxirrte jashtë dhe e detyronte të lypte. Vajzën unë e kam martuar me fustan nusërie. Nëna e vet ka qenë në dijeni dhe e ka pranuar këtë miqësi. Ajo është mashtruese, ajo ka dashur ta largojë edhe vajzën 5 vjeçe. Mbesa është martuar 14 vjeçe, sepse vajza flinte rrugëve dhe ne duhet ta martonim patjetër. Mamaja e saj shkonte lart e poshtë dhe nuk donte t’ja dinte njeri. Nëna e ka braktisur djalin dhe djali nuk kishte rrugëzgjidhje.


Shtuar 8.09.2020 12:18