Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino ka vendosur t’i japë një mesazh shqiptarëve për situatën që ka krijuar koronavirusi në vend.
Ajo iu bën thirrje qytetarëve që të vetëizolohen nëse shfaqin shenjën më të vogël të problemeve me frymëmarrjen.
“Dua t’iu drejtohem të gjithë qytetarëve, që të jenë të përgjegjshëm të qëndrojnë në shtëpi. Nëse kanë shenjën më të vogël respiratore të vetëizolohen. Të përpiqen të ruajnë distancën të paktën 1 metër nga personat e tjerë. Këto masa janë mjet shumë i rëndësishëm, që shpeshherë bie mbi vetë individin”, shprehet Bino.
Ajo thotë se paniku nuk të çon askund dhe se qëndrueshmëria është elementi më i rëndësishëm me të cilin ne duhet të luftojmë këtë armik.
“Punonjësit janë në vijën e parë të frontit për të ruajtur shëndetin e qytetarëve, por kjo nuk mjafton. Ata duhet të ndihmohen nga vetë qytetarët”, deklaron Bino.