Sekuestrohen 41 mijë euro që po transportoheshin drejt Greqisë

Policia Kufitare ka sekuestuar 41000 euro, ndërsa nis procedimi penal për personin që nuk i deklaroi ato në kufi.

Sekuestrimi është bërë në pikën kufitare të Kakavijës, në dalje të Republikës së Shqipërisë, ku gjatë kontrollit të automjetit të shtetasit E. B., 38 vjeç, banues në Kuçovë, i cili udhëtonte drejt Greqisë u gjet shuma e majme.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, në pjesën e brendshme të automjetit u gjend e fshehur një sasi e konsiderueshme valute euro, të cilën ky shtetas po e kalonte drejt Greqisë, pa e deklaruar tek shërbimet doganore. Nga numërimi i sasisë rezultoi se ishin në total 41000 euro.

Policia Kufitare e Kakavijës ka njoftuar specialistët për hetimin e krimit ekonomik e financiar, të cilët në përfundim të veprimeve të para hetimore kanë filluar procedimin penal ndaj 38-vjeçarit.

Materialet do t’i përcillen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.


Shtuar 13.01.2020 14:55