Të tjera detaje që kanë të bëjnë me ekzekutimin e Hekuran Billës ditë më parë në zonën e Komunës së Parisit janë zbardhur së fundmi.
Sebastiano Mali, nipi 22-vjecar i Prel Markut, ekzekutuar në Angli vite më parë nga Hekuran Billa, ka mohuar lidhje me vrasjen e 40-vjeçarit Billa.
Në dëshminë e tij para policisë ka deklaruar se prej muajsh jeton në zonën e ish-klubit Partizani në Tiranë. Ai më tej ka treguar se kohët e fundit ka marrë një mjet “BMW” X6 me qira për të lëvizur.
Ndërsa i pyetur për lëvizjet e tij natën e krimit në zonën ku u vra Billa, Sebastiano Mali nuk ka pranuar që e ka gjurmuar viktimën por se ka qenë në zonë për qejf.
Policia dyshon se ai ka qenë bashkëpunëtor në vrasjen e Billës. Makinat e përdorura nga Viktor Marku, i cili është shpallur në kërkim, e Sebastjano Mali kanë qenë të marra me qira në Shkodër nga familjarë të Sebastjanos.
Për këtë arsye, policia ka shoqëruar edhe 2 të rinj nga Shkodra. Dy të shoqëruarit janë identifikuar pas verifikimeve që policia ka bërë në mjetet e përdorura nga autorët e dyshuar të cilat rezultojnë të dhëna me qira. Nga kontrolli i banesave të tyre policia ka sekuestruar dhe armë.
