Presidenti Meta dhe Kryeministri Rama pas kaq kohësh do të bëhen bashkë në një tryezë të përbashkët.
Këtë herë motivi që i ka bashkuar dy krerët më të lartë të shtetit, është integrimi.
Do të jetë mbledhja e Këshilli Kombëtar të Integrimit sot, në Pallatin e Kongreseve, me temë “Zhvillimet më të fundit në kuadër të përgatitjeve për procesin e negociatave në Bashkimin Europian dhe prezantimi i projekt-planit gjithëpërfshirës të masave të integrimit europian”, që përveç Metës dhe Ramës do të ulë në një tryezë të përbashkët edhe kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, e ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca.
Punimet e Këshillit do të nisen nga kryetarja, Rudina Hajdari, e cila do të pasohet nga ambasadori i Bashkimit Europian, Soreca, dhe më pas Presidenti Meta. Pas tyre, në sesionin e dytë të takimit do të diskutojnë ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, e pas tij kreu i qeverisë, Edi Rama.
Pas tyre, në përmbyllje të takimit do të flasë edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, që mban edhe postin e zv.kryetarit të këtij Këshilli.