Operacioni Forca e Ligjit ka zbarkuar sot në Tiranë, ku i ka kërkuar të justifikojnë brenda 48 orëve pasuritë e tyre tre subjekteve.
Mësohet se OFL i ka dërguar kërkesë për deklarim pasurie Denis Qordjas, Fatjon Manabejt dhe Shkëlqim Sharrës.
Të tre këta persona janë emra të njohur për policinë, ku Denis Qordja ka vuajtur dënimet nën akuzën e trafikut të prostitucionit, Fotjon Manabej është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, ndërsa më parë është dënuar më 8 shtator të vitit 2007 nga Gjykata e Aleksandrisë me 5 vjet e 3 muaj burg.
Ndërsa Shkëlqim Sharra është dënuar për trafik ndërkombëtar droge dhe është arrestuar më herët në Shkodër, pasi në makinë i janë gjetur 16 kg marijuanë./albeu.com/
Njoftimi
OFL, 14 maj
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
D.Q., F.M. dhe L.D., banues në Tiranë.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.