“Nuk ka asnjë vlerë”, Roshi me rezerva për librin e Dritëro Agollit

Deputeti Artur Roshi gjatë fjalës së tij në Kuvend, teksa po zhvillonte një interpelancë me ministren e Arsimit Besa Shahini foli ndër të tjera për gabimet në tekstet mësimorë.

Roshi tha se figurat e rëndësishme që kanë bërë historinë dhe që janë retushuar nga sistemi diktatorial ende nuk kanë dalë në dritë.

Po ashtu deputeti Roshi kritikoi romanin e Dritëro Agollit, “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” , duke shtuar se është shumë i dobët dhe nuk ka asnjë vlerë.

“Tekstet kanë gabime. Figurat e rëndësishme që kanë bërë historinë dhe që janë retushuar nga sistemi diktatorial ende nuk kanë dalë në dritë. Pak ose aspak thuhet për Mit’haht Frashërin dhe figura të tjera, ashtu siç kalon në hije e vërteta për Kongresin e Manastirit dhe krijimin e partisë së Ballit Kombëtar. Nuk ka asnjë informacion për Mit’hat Frashërin që ka themeluar Normalen e Elbasanit. Fëmijët tanë po vazhdojnë të mësojnë luftën e klasave. Ata askushët, deri te kriminelët që mitizoi diktatura, vazhdojnë të qëndrojnë në portën kryesore të historisë. Në letërsi vazhdojnë të propozohen libra të dobët. Akoma vijon të studiohet romani i dobët i Dritëro Agollit, shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, që nuk ka asnjë vlerë por thjesht kënaq nostalgjikët me luftën e klasave.”- tha Roshi.


Shtuar 9.07.2020 09:28