Nis më 9 maj, por lojtarët e Bundesligës do të zbresin në fushë me maska?

Lojtarët e Bundesligës së Gjermanisë mund të detyrohen të mbajnë maska gjatë ndeshjeve, ka shkruar Daily Mail të premten.

Drejtuesit e ligës gjermane dhe palë të tjera të përfshira po punojnë për të vazhduar kampionatin pas ndërprerjes për shkak të koronavirusit.

Një dokument që është zbuluar, e që i takonte Ministrisë së Punës, ka treguar planet për të pajisur të gjithë lojtarëve me maska që do të mbaheshin gjatë gjithë ndeshjes. Dokumenti po ashtu lë të kuptohet se ndeshja do të ndërpritet nëse maska largohet nga fytyra e lojtarëve.

Lojtarët po ashtu do të urdhërohen që mos të prekin maskat me duar gjatë ndeshjeve, ka shkruar Spiegel Sports.

Sipas dokumentit, lojtarët dhe zyrtarët duhet të mbajnë “mbrojtëse të përshtatshme sportive për gojë dhe hundë”, që nuk do të largohet gjatë vrapimeve të shpejta, goditjeve me kokë dhe dueleve.

Raporti po ashtu propozon që ndeshjet të ndërpriten çdo 15 minuta për të ndërruar maskat, për shkak të rritjes së vëllimit të frymëmarrjes, që do t’i bënte ato të papërdorshme.

Ndërrimi i maskave do të njihej si pushim i shkurtër në lojë, gjatë të cilave periudha lojtarët do të qëndronin së paku një metër e gjysmë larg njëri-tjetrit.

Përqafimi i lojtarëve pas shënimit të golave apo grindjet rreth topit nuk do të lejohen, sipas dokumentit, dhe arbitrat mund të marrin masa.

Lista e kërkesave që është punuar nga Ministria e Punës mbetet vetëm drafti i parë në diskutimet që po zhvillohen për vazhdim të edicionit. Ka shpresë për vazhdim të Bundesligës më 9 maj.

Të gjithë 1100 lojtarët do të testohen për Covid – 19 dhe masa tjera higjienike do të merren.

“Bundesliga është e gatshme të vazhdojë, pavarësisht nëse kjo do të bëhet më 9 maj apo më vonë. Vendimi se kur do të fillojmë do të merret nga njerëzit e politikës”, ka thënë udhëheqësi i Bundesligës, Christian Seifert.


Shtuar 24.04.2020 14:56