Nga doli Covid-19? BE nis hetim të pavarur mbi origjinën e tij

Bashkimi Europian nuk është bashkuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinën për të zbuluar origjinën e koronavirusit.

Blloku Europian tha që 27 shtetet e tij anëtare do të bashkohen në një hetim të pavarur mbi origjinën dhe përhapjen e COVID-19, duke qëndruar larg nga fusha e betejës midis Kinës dhe SHBA-së.

Kërkesa e hetimit do të bëhet gjatë një takimi virtual të Asamblesë Botërore të Shëndetit, më 18 maj, tha të martën zëdhënësja e Komisionit Europian Virginie Battu-Henriksson.

“Projekt-rezoluta planifikon një rishikim të pavarur mbi mënyrën si sistemi shëndëtësor ndërkombëtar ka reaguar ndaj koronavirusit, për të forcuar në këtë mënyrë gatishmërinë e ardhshme globale të sigurisë shëndetësore,” tha Virginie Battu-Henriksson, zëdhënësja e BE për punët e jashtme.

“Një zbulim i plotë rreth pandemisë së koronavirusit është thelbësor që autoritetet publike të marrin vendime të sakta”.

Masa për një hetim të pavarur vjen në një kohë kur Kina është përballur me akuza mbi veprimet e saj gjatë ditëve të para të shpërthimit.

Që atëherë, Pekini dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar një betejë publike dhe të nxehtë mbi origjinën e koronavirusit të ri, i cili ka infektuar më shumë se 3.6 milion në të gjithë botën.


Shtuar 6.05.2020 06:59