Princ Harry feston ditën e sotme 36-vjetorin e lindjes. E në ditën e tij të veçantë, Harry ka marrë të paktën publikisht, urime mjaft zyrtare nga pjesa tjetër e familjes mbretërore.
Harry ka vendosur një oqean mes tij dhe familjes mbretërore. E kjo është ditëlindja e parë që ai feston larg Windsors, si një kalifornian i pasur dhe jo si nipi i Madhërisë së Saj.
Nëse ka patur telefonata në mënyrë private për të uruar Harry-n sa më ngrohtë, ne nuk mund ta dimë. Por publikisht familja mbretërore ka zgjedhur që t’i urojë 36-vjetorin me urime shumë zyrtare.
Duka dhe Dukesha e Kembrixhit, William e Kate Middleton, kanë zgjedhur një foto të tyre së bashku me Harry-n. Fotografia është realizuar para se Meghan Markle të dilte në skenë, kur William dhe Harry ishin ende vëllezër të pandarë.
Formula e urimit është ajo standarde: “Një ditëlindje shumë e lumtur për Princ Harry sot”. E të njëjtat fjalë gjenden gjithashtu edhe në llogaritë zyrtare të Mbretëreshës dhe Princit Charles.