Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur sot në orën 9:00 në një tryezë, kreun e PD, Lulzim Basha dhe aleatët opozitarë, të cilët pas shembjes së Teatrit Kombëtar kanë dalë në mbështetje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, për të vijuar protestat.
LSI-ja në këtë tryezë përfaqësohet nga nënkryetari i saj, Petrit Vasili dhe jo kryetarja Monika Kryemadhi.
Pjesë e axhendës së takimit, mësohet se do të jenë shembja e Teatrit Kombëtar, bllokimi i tryezës së Reformës Zgjedhore, po ashtu dhe zhvillimet e tjera politike.
Dy ditë më parë, kreu i shtetit ka realizuar një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, ndërkohë që pritet të startojë dhe tryezën me faktorin politik, që pas 17 majit, duket se është rikthyer sërish në ngërç.
Shembja e Teatrit Kombëtar është quajtur nga Presidenti si akt cubash, por dhe si akt i programuar shkombëtarizues. Ai më herët ankimoi vendimin e shembjes në Gjykaten Kushetuese, por Bashkia e Tiranës realizoi prishjen e ndertesës pa pritur që vendimi të shqyrtohej nga kjo gjykatë.
