Meta: Koronavirus do të frenojë ekonominë, humbje të mëdha te fasoneritë dhe biznesi i vogël (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë sot një video mesazh përmes të cilit shprehet se ka një ngadalësim kritik të aktivitetit ekonomik ndërsa paralajmëron se do të shkaktojë një frenim të rritjes ekonomike dhe humbje serioze në mënyrë të veçantë në sektorin e fasonëve, turizmit, shërbimeve dhe biznesit të vogël.

Meta vlerëson se pasojat në ekonomi do të jenë objektivisht të pashmangshme duke cituar edhe deklaratat e FMN-së.

“Vendi sot po përballet me një ngadalësim kritik të aktivitetit ekonomik, si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të coronavirusit.

Kjo do të shkaktojë një frenim të rritjes ekonomike dhe humbje serioze në mënyrë të veçantë në sektorin e fasonëve, turizmit, shërbimeve dhe biznesit të vogël.

Natyrisht që prioriteti madhor është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe mbështetja me fondet e domosdoshme për sektorin e shëndetësisë, si aktori kryesor në përballjen me pandeminë.

Por pasojat në ekonomi do të jenë objektivisht të pashmangshme, siç paralajmëron FMN dhe aktorët kryesorë të ekonomisë tonë.

Duhet të bëhet gjithçka për të përballuar skenarët e ndryshëm të ecurisë së kësaj pandemie nga ana mjekësore.

Por është jetike të punohet çdo ditë edhe për përballimin e skenarëve të ndryshëm të pasojave serioze në ekonominë kombëtare dhe jetën e çdo familjeje shqiptare, në veçanti të atyre më në nevojë. 🇦🇱”, shprehet Meta.


Shtuar 16.03.2020 12:43