“Më gjej një mik për prokuroren F.V”, dalin përgjimet e grupit të kanabisit në Kukës

Aksioni i disa muajve është finalizuar me shkatërrimin e një grupi që merrej me mbjelljen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Kukës nga prokuroria e Kukësit.

Siç mëson abcneës.al, prokuroria dyshon se ishte Kreshnik Murataj nga Kukësi ai që organizonte grupin pasi gjatë përgjimeve është konstatuar se personat e tjerë konsultoheshin me të për veprimet mbi mbjelljen, rritjen e bimëve të kanabisit si edhe transportin e lëndës narkotike pas tharjes.

Pasi ishin kryer disa arrestime nga prokuroria e Kukësit, grupi në fjalë kërkon të futet në kontakt me prokuroren F.V. Në lidhje me këtë rezulton se në 24 shtator të vitit 2019, Kreshnik Murataj ka telefonuar shtetasin I.V duke i kërkuar që “t’i gjejë një mik prokurores F.V”.

Gjatë telefonatës I.V i thotë Kreshnik Muratajt se “F.V është bashkëshortja e F.GJ” dhe se “duhet të bëjë kujdes në biseda për këto gjëra në telefon”.

Por grupi nuk dorëzohet. Gjatë të njëjtës ditë, prokuroria ka interceptuar një telefonatë tjetër, ku sërish Kreshnik Murataj telefonon një grua dhe e pyet nëse e njihte prokuroren F.V, por ajo i thotë se nuk e njihte.

Disa orë më vonë sipas prokurorisë, në telefonin e Kreshnik Muratajt vjen një telefonatë nga një person i identifikuar si djali i prokurores F.V, i cili i kishte thënë se punonte në një institucion të rendësishëm në Kukës.

Prokuroria nuk ka më detaje se çfarë ndodhi mes grupit dhe prokurores në fjalë, por duket se grupi u alarmua pas disa operacioneve për shkatërrimin e parcelave të kanabisit në Kukës.


Shtuar 20.05.2020 09:56