Makina e blinduar me të cilën lëviz Rama, PD: Përse nuk vepron ligji dhe policia?

Një makinë e blinduar me të ciliën lëviz kryeministri Edi Rama ka ngritur pikëpyetje te Partia Demokratike.

Ish deputeti Ervin Salianji vë theksin pikërisht te makina e blinduar “Linkoln” me targë TR 0370 T, në pronësi të Olsi Ramës dhe që përdoret nga Edi Rama, që sipas tij Policia e Shtetit është e udhëzuar të mos ndalojë në asnjë rrethanë automjetin e blinduar.

“Edi Rama dhe ushtari i tij në Ministrinë e Brendshme, Sandër Lleshaj kanë standard të dyfishtë në zbatimin e ligjit. Ata urdhërojnë shfaqje propagandistike me bllokimin e automjeteve të blinduara, të pajisur me leje të lëshuara nga vetë policia, por nuk bllokojnë makinën e blinduar të Olsi Ramës.

Partia Demokratike disponon të dhëna të plota se Policia e Shtetit është e udhëzuar të mos ndalojë në asnjë rrethanë automjetin e blinduar Linkoln me targën TR 0370 T.

Makina e blinduar e Olsi Ramës lëviz si të kishte imunitet diplomatik, njësoj siç lëvizte makina private e Saimir Tahirit, Audi AA 003 GB, që përdorej nga trafikantët e drogës së bandës së Habiljave. “, tha Salianji në konferencë për shtyp.

“Edi Rama duhet t’i japë shqiptarëve edhe një shpjegim tjetër që lidhet direkt me vëllanë e tij, makinën e blinduar të të cilit ai e përdor në shkelje të rregullave dhe i jep imunitetin e të paprekshmit nga policia.

Në çfarë aferash është përfshirë Olsi Rama dhe çfarë e rrezikon atë, duke e detyruar të përdorë një makinë të blinduar, e krijuar për mbrojtjen nga goditja me armë zjarri?”, vazhdoi ai duke e cilësuar spektakël sekuestrimin e pasurive të krimit të organizuar.


Shtuar 12.02.2020 12:04