Kruja ka qenë këtë herë targeti i Policisë e cila ka lëshuar dronët në ajër për të kontrolluar për lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit janë zbuluar disa zona ku kishte nisur kultivimi i kanabisit dhe për këtë arsye janë proceduar penalisht kryetari i Njësisë Administrative Cudhi dhe 6 kryepleq të fshatrave në Krujë.
100 forca policore më këmbë dhe 2 dronë kanë konstatuar disa ambiente ku ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa, në fshatrat Shkretë, Bruz Mal, Bruz Zall, Kroi i Madh, Rranxë dhe Cudhi Zall.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës dhe forcat e FNSH-së, në vijim të kontrollit masiv të territorit, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në qytetin e Krujës, proceduan penalisht shtetasit:
O. K., 59 vjeç, me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Cudhi, A. P., 64 vjeç, S. S., 69 vjeç, M. H., 54 vjeç, S. V., 70 vjeç, A. B., 51 vjeç dhe Xh. Xh., 51 vjeç, me detyrë kryepleq të fshatrave ku u gjetën të kultivuara bimët narkotike cannabis sativa, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.
Kontrolli i territorit do të vijojë pa ndërprerë, për të kontrolluar dhe zonat më të largëta, duke përdorur dhe flotën e dronëve. /albeu.com/
