“Lekët, lekët”: Afërdita tregon përleshjen me maskat në vilën në Allias

Ditën e djeshme banesa e çifti Laze është grabitur nga dy persona me maska teksa bashkëshortët ndodheshin brenda.

Afërdita Laze tregon: “Ishim në dhomë, dëgjuam një zhurmë. Dëgjuam vajzën që bërtiti ‘kush është aty’.

Pasi dëgjuam zhurmën doli Petriti të shihte. Petriti u ndesh në korridor me dy veta të maskuar. Dukeshin të rinj, bërtisnin vetëm ‘lekët, lekët’. Më pas i drejtuan Petritit pistoletën. Petriti tentoi ti nxirrte jashtë nga shtëpia por ata e qëlluan. Kur u afrova më qëlluan edhe mua. Pastaj ikën me vrap”.

Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ndodhi rreth orës 21:40, kur çifti Laze ka dëgjuar që në banesën e tyre ka hyrë dikush. Pasi personat janë konstatuar nga bashkëshortët, njëri prej tyre ka qëlluar, duke i lënë të plagosur.

Petrit dhe Afërdita Laze u transportuan në Spitalin e Traumës, kur gjatë mbrëmjes së djeshme iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale. Mësohet se Afërdita ka marrë një plumb në kofshë dhe është në gjendje më të mirë, ndërsa Petrit Laze ka marrë një plumb në bark dhe ndodhet në gjendje më të rëndë.

Ata mësohet se janë nga Skrapari dhe prej vitesh jetojnë në Tiranë, ku ushtrojnë aktivitetin e tyre. Çifti Laze janë prindër të dy fëmijëve, një djali dhe një vajze.


Shtuar 20.01.2020 09:55