Jozefina Topalli dhe Namik Dokle në 100 vjetorin e Parlametarizmit nuk e fshehin trishtimin për nivelin dhe cilësinë e përbërjes së Kuvendit të Shqipërisë sot.
“ Sigurisht që është për tu fshirë nga kujtesa që mos të ndodhë kurrë më që në Parlament shqiptarët të përfaqësohen nga krimi apo nga pala tjetër që janë më shumë klloun sesa përfaqësues të shoqërisë shqiptare. Jam me fat që s’jam pjesë e kësaj kalbësirë politike aktuale të zhytur në korrupsiom dhe papërgjegjshmëri”, thotë Topalli.
“Nga një legjislaturë në tjetrën sikur ka rënë nivel kulturor i Parlamentit. Pra ka më shumë sharje, sesa kulturë. Ka më shumë grindje sesa argumente dhe kjo për mendimin tim është një nga të metat e këtij Parlamenti. Duhet menduar për të ngritur nivelin kulturor”, thotë Dokle.
Jo vetëm legjislaturën më të dobët, por edhe më të mirën se kanë vështirë ta kujtojnë.
“E privilegjuar që kam drejtuar Kuvendit kur u hoqën vizat dhe futëm vendin në NATO. Dua të shoh anët pozitive. Sfidat dhe vështirësitë e një kryetari të Parlamenti janë të pashmangshme unë s’dua të kujtoj pjesët që më kanë lënduar ndonjëherë apo më kanë bërë të gaboj herë tjetër. Dua të shoh gjërat e bukura që janë realizuar”, thotë më tej Topalli.
“ Është e vështirë ta përcaktosh dhe varet nga këndvështrimi i atij që bën përcaktimin, por unë si politikan kënaqësinë më të madhe pune e kam ndjerë në legjislaturën 92-96 . Më vjen ndërmend se ndofta në atë kohë unë kam drejtuar grupin parlamentar të opozitës socialiste që e solli PS në pushtët për herë të parë”, shprehet Dokle.
Në këtë përvjetor jubilar Parlamenti nuk e gëzon përbërjen e tij të plotë prej 140 deputetësh për shkak të krizës politikës. Zgjidhjen e shohin në mënyra të ndryshme.
“ Ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë 100 vjeçare të Parlamentit. Opozita ka dezertuar detyrën e saj misionin e saj për t’ju kundërvënë qeverisë. Zgjidhja është largimi i 4 personazheve që mbajnë peng vendin. Palët lëvizin në dy shina kryesore në pazare dhe shantazhe. Kanë një emërues të përbashkët paranë”, shprehet Topalli.
“ Shiko se thonë se trimëria pas lufte dhe urtësia pas Kuvendi nuk vlejnë. Këshilla ime do kishte qenë para se të merrej ai vendim që u mor. Një vendim krejtësisht absurd, braktisja e Parlamentit”, tha Dokle.
Dy ish kryeparlamentarët janë larguar me mënyra të ndryshme nga jeta politike. Por, a e mendojnë rikthimin? Ndryshe nga ish kolegu i saj Jozefina Topalli nuk është indiferente.
“Nuk kam qene asnjëherë indiferente ndaj zhvillimeve të vendit tonë. Po kam një bindje të brendshme që diçka duhet bërë. Duhet një lëvizje për të ndryshuar dhe është e mundshme dhe shqiptarët mund ta bëjnë dhe mbi të gjitha mund ta bëjnë të rinjtë”, shprehet Topalli.
“ Jo jo jo. Nuk më mungon Parlamenti. Jam i vetmi kryetar që jam larguar duke dhënë dorëheqjen. Ka ndodhur nëvitin 2002. Në momentin kur u krijua konflikti institucional midis parlamentit dhe gjykatës Kushtetuese unë si kryetar dhashë dorëheqjen për t’i hapur rrugë zgjidhjes së këtij ngërçi institutional. Dhe unë mendoj se kam bërë veprim të drejtë”, thotë Dokle.
E hëna shënon edhe 100 vjetorin e Kongresit të Lushnjës, ku për herë të parë u krijua senati që do njihej më pas si Kuvendi i Shqipërisë. / TCH