Juve shkatërron Cagliarin, Ronaldo e nis vitin me hat-trick (VIDEO)

Juventusi e ka nisur si duhet dekadën e re dhe ka treguar dhëmbët ndaj Cagliarit duke fituar me rezultatin 4-0. Ekipi i Maurizio Sarrit ka argëtuar të gjithë të pranishmit me lojë dhe me gola me një super Ronaldo në formën më të mirë, i cili shënon një hat-trick.

Pjesa e parë ka qenë shumë e luftuar me miqtë që kanë lënë gjithçka në fushën e lojës, ndërsa pjesa e dytë nisi me gol. Cristiano Ronaldo i vodhi kohën dhe topin mbrojtësit në minutën e 49′ dhe zhbllokoi shifrat. Portugezi nuk vonoi dhe shënoi golin e dytë me penallti Ai nuk gaboi, pas “asistit” që i dha Dybala me fitimin e penalltisë.

Pjesë në festë mori dhe Higuain që realizoi golin e tretë në minutën e 81′. Argjentinasi nuk gaboi nga një pozicion mjaft i volitshëm. Ronaldo një minutë më pas shënoi hat-trickun e parë personal të dekadës së re. Ylli dërgoi në rrjetë një top të pasuar nga Costa. Juventusi pret me qetësi ndeshjen e Interit në darkë dhe shkëputet momentalisht me 3 pikë në krye.


Shtuar 6.01.2020 16:00