Flet i arrestuari i katërt për eliminimin e Billës: Ku isha kur ndodhi krimi

Policia ka arrestuar Gjekson Pusi, i dyshuar si i përfshirë në eliminimin e Hekuran Billës, teksa vetë ai ka mohuar të ketë lidhje në këtë ngjarje.

Sipas hetuesve, ai ka qenë shoferi i mjetit “Mercedez” i përdorur në këtë atentat.

I marrë në pyetje nga hetues të Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës, 33-vjeçari ka pohuar se mbrëmjen e 30 qershorit kur ndodhi krimi, ka qenë në banesën e tij në Shkodër. Ai përdori si argument faktin se ndodhej me masë sigurie “arrest në shtëpi” dhënë nga gjykata e këtij rrethi për armëmbajtje pa leje.

Por pavarësisht kësaj deklarate, sipas ABC news ka prova që e implikojnë atë në vrasjen e Billës. Sipas hetuesve, kamerat e sigurisë në zonën e “Komunës së Parisit”, e kanë fiksuar atë të ketë qenë në mjetin tip Mercedes Benz, i përdorur nga atentatori, që sipas tyre, është Viktor Marku, vëllai i Prel Markut, vrarë në 2006 në Angli nga Billa.

Po, nga ana tjetër, Pusi nuk ka mohuar njohjen që ka me Viktor Markun, por ka thënë se kishte muaj që nuk e kishte takuar.

Hetimet kanë zbuluar se 33 vjeçari dyshohet të ketë pasur sërish rolin e shoferit, duke e larguar Viktor Markun nga Peza e Vogël, pasi dogjën makinën që përdorën në krim.

Fillimisht, Gjekson Pusi u prangos nga policia e Shkodrës, pasi mbi të rëndojnë edhe dy akuza të tjera. Sipas policisë, në një kohë që ai ndodhej me masën e arrestit në shtëpi, dyshohet të jetë edhe autor i tentativës së vrasjes së Fatjon Harushës, nipit të Luan Harushës, deputet i PS-së në këtë qark. Kjo ngjarje ndodhi mesditën e së hënës, në fshatin Dobraç të Shkodrës.


Shtuar 1.07.2020 15:17